Ambasadorja Vlahutin akuzon median e pavarur për "fake news"

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Ambasadorja Vlahutin akuzon median e pavarur për "fake news"

Në një intervistë publikuar tre ditë më parë në gazetën kroate Jutarnji Vijsti, ambasadorja e BE-së në Shqipëri Romana Vlahutin foli për ato që ajo i quan “fake news”, ose shqip “lajme të rreme”.

Ambasadorja Vlahutin, që zakonisht i përgjigjet akuzave në media nëpërmjet zëdhënëses së BE-së Maja Kocijančič, i ka dhënë një intervistë të gjatë gazetarit shqiptar Augustin Palokaj, për rolin e saj si ambasadore e BE-së, reformën në drejtësi dhe disa artikuj, postuar dhe nga Exit.al, lidhur me blerjen e një vile në rezidencën luksose Rolling Hills në Tiranë, të cilat ajo i quajti “fabrikime” (term i përdorur më parë nga Maja Kocijančič).

Gjatë intervistës, Zonja Vlahutin denoncon ato që ajo i quan me termin populist “lajme të rreme”, një term që u bë popullor nga sulmet e vazhdueshme të Presidentit të SHBA-ve Donald Trump mbi mediat.

Kjo është vetëm njëra prej aferave të trilluara, apo, siç thuhet sot, fake news – lajme të rreme — ndaj të cilave jemi ekspozuar në Tiranë, sidomos kolegu im amerikan dhe unë. Disa politikanë shqiptarë janë duke bërë gjithçka që t’i përfshijnë diplomatët dhe komunitetin ndërkombëtar në konfliktet e tyre të brendshme dhe t’i përdorin si alibi për gabimet e tyre. Ndonjëherë mendoj se kjo është një nga pasojat e diktaturës së tmerrshme të Enver Hoxhës, ku njerëzve u bëhej lavazh truri se të gjithë të huajt janë armiq dhe kanë axhenda të fshehura. Gjithsesi në kontrast me një grup të vogël por shumë agresiv njerëzish, që janë të lidhur me interesa politike e kriminale, shqiptarët janë shumë mikpritës e të hapur, veçanërisht ndaj miqve e të huajve.

Përveç klisheve rreth Enver Hoxhës (i cili nuk ka si të më ketë bërë lavazh truri mua) dhe mikëpritjes së shqiptarëve (e vërtetë, por e parëndësishme në këtë rast), akuzat që ngre ambasadorja Vlahutin janë serioze. Zonja Vlahutin akuzon mediat si pjesë e “një grupi të vogël, por shumë agresiv njerëzish, që janë të lidhur me interesa politike e kriminale” për shkak se ato hetuan një transaksion prej 1,64 milionë eurosh për blerjen e një vile, në një kompleks rezidencial të ndërtuar nga një prej sipërmarrësve më të fuqishëm në Shqipërinë,

Besoj se Ambasadorja  Vlahutin është e gatshme t’i mbështesë këto akuza me prova faktive ose, në të kundërt, të kërkojë ndjesë.

Por Ambasadorja Vlahutin shkon edhe më tej, duke kritikuar gazetarët e mediave të cilat ajo akuzon se “nuk kanë bërë detyrat e shtëpisë.”

Historia e rezidencës së BE-së ka përkuar pikërisht me ditën e fillimit të krijimit të institucioneve të vettingut dhe bazohet kryesisht në idenë e dikujt se bëhet fjalë për një transaksion të dyshimtë.  Për ata që e dinë se si funksionojnë prokurimet publike të BE-së, është e qartë se me aq shumë nivele kontrolli dhe vendimmarrje përpara se të merret vendimi final, është e pamundur për dikë të bëjë diçka individualisht. Çfarë është më e më e çuditshmja në këtë histori është se “gazetari” që e publikoi këtë nuk e mori mundimin të mësonte këto gjëra, si për shëmbull se i gjithë procesi i gjetjes së pronës dhe negociatave u bënë shumë muaj përpara se unë të emërohesha si Ambasadore e BE-së në Shqipëri dhe se negociatat përfundimtare u drejtuan nga një koleg që erdhi nga Brukseli, sepse Parlamenti Evropian është pjesë e procesit të verifikimit.

Deklarata e parë e Zonjës Vlahutin nuk është e vërtetë. Exit.al ka publikuar artikullin e parë për vilën luksoze më 26 janar 2017, ndërkohë që Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) është themeluar vetëm më 8 shkurt 2017. Ndërsa Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) është themeluar më 27 janar, por ky organ nuk ka rol të qartë në procesin e vetingut.

Pra, ose Ambasadorja Vlahutin nuk e ka shumë të qartë se cilat janë institucionet e vetingut ose ajo po mundohet të lerë të kuptohet se artikujt për dyshime korrupsioni në Delegacionin e BE-së janë një përpjekje për të diskretituar procesin e vetingut. Nëse është kështu, ajo kupton shumë pak nga roli i medias në një shoqëri të lirë.

Në fakt, ideja se blerja e vilës për Ambasadoren e BE-së ishte e dyshimtë bazohej në faktet se 1) çmimi i paguar ishte më shumë se trefishi i vlerës së tregut dhe 2) pronari dhe ndërtuesi i gjithë rezidencës së vilave ka lidhje të ngushta me qeverinë Rama. Anën e kësaj të fundit Ambasadorja Vlahutin e ka mbajtur disa herë, madje dhe kur qeveria është kritikuar nga Parlamenti Evropian.

Kam pasur disa shkëmbime me zyrën e zëdhënëses Maja Kocijančič dhe kam dërguar një kërkesë për informacion për dokumentacionin e plotë të blerjes së vilës, përfshi analizën për vlerën e tregut dhe opinionin e ekspertit të pavarur. Nëse del se çdo gjë që është bazuar në standardet evropiane, unë, një nënshtetas evropian, do të isha i lumtur të raportoja se të gjithë rregullat janë ndjekur.

Megjithatë, deri më tani, Komisioni Evropian e ka zvarritur kërkesën time dhe ambasadorja Vlahutin duket se dëshiron t’i përgjigjet vetëm pyetjeve në gjuhën e saj amtare.

Arroganca e Ambasadores Vlahutin se media “nuk di asgjë se si funksionon prokurimi publik në BE” është e pavend. Në fakt, Exit.al ka shkruar për disa raste që i janë drejtuar Avokatit të Popullit të BE-së në të shkuarën, lidhur me keqadministrimin e Delegacionit të BE-së në Tiranë. Të gjitha këto raste kishin ndodhur nën hundën e “të gjithë niveleve të kontrollit në të cilët kalon vendimmarrja në BE”.

Pavarësisht rregulloreve shumë të rrepta e strikte të BE-së, korrupsioni ndodh, dhe unë e konsideroj si detyrë të medias, veçanërisht kur BE-ja është kaq shumë e dedikuar në “pastrimin e sistemit të korruptuar gjyqësor në Shqipëri”, të sigurohem se praktikat e vetë BE-së të jenë të tilla. Kjo nuk është të japësh “lajme të rreme”, por të bësh punën si gazetar.

Më pas, përsa i përket mos “shqetësimit për të mësuar faktet bazike,” është mesë e vërtetë që jam informuar nga Maja Kocijančič se vendimi për të blerë një vilë në vend të marrjes me qira të një apartamenti është marrë para se Ambasadorja Vlahutin të mbërrinte në Tiranë. Megjithatë, me aq sa kuptoj, Ambasadori i BE-së përfaqëson Komisionin Evropian në Shqipëri, dhe rrjedhimisht është përgjegjës për veprimet e Delegacionit të BE-së në Tiranë. Nëse ky apo veprime të tjera janë marrë para se ajo të merrte postin ështe i parëndësishëm. Ajo mban një post, dhe ky post vjen me përgjegjësi.

Mjaft interesant është fakti se Komisioni i Parlamentit Evropian për Kontrollin e Buxhetit i ka dërguar tashmë pyetje zyrtare Perfaqësueses së Lartë Federica Mogherini në lidhje me blerjen e rezidencës së Ambasadores të BE-së në Tiranë. Jam kureshtar të shoh nëse Komisioni Europian do të ketë guximin t’i përgjigjet një anëtareje të Parlamentit Europian me të njejtën arrogancë dhe sfidim me të cilin Ambasadorja Vlahutin i është drejtuar medias.

Në gjithë intervistën e saj, duket se Ambasadorja ka përvetësuar politika shqiptare mënyrën si ajo e trajton median: duke e denoncuar si “fake news”, duke sugjeruar lidhje kriminale, dhe duke quajtur gjithçka që kritikohet në media si një sulm personal.

Në fakt nuk ështe media ajo që po bën insinuata për të, por është vetë Ambasadorja Vlahutin që po bën insinuata të pabaza për median.

Ajo çfarë Ambasadroja Vlahutin duhet të kuptojë është se ne nuk më intereson aspak ajo personalisht. Si qytetar i BE-së, mua më intereson integriteti i Bashkimit Evropian dhe mënyra si BE e përfaqëson veten tek vendet që nuk janë pjesë e BE-së.

Sepse edhe vetëm dyshimi për korrupsion mjafton për të hedhur poshtë përpjekjen e shtrenjtë dhe intensive të bashkimit të të gjitha shteteve Evropiane – një projekt, për nevojën e të cilit jam i bindur.

Llogaridhënia publike nuk jepet në mënyrë indirekte, nëpërmjet një dore të fshehtë, në një gazetë kroate për një gazetar shqiptar. Nuk jepet duke u fshehur në një vilë, e rrethuar nga truproja dhe elita e korruptuar e Shqipërisë. Jepet duke zbardhur dhe bërë të plotë gjithë procesin e blerjes së rezidencës së Kreut të Delegacionit të BE-së në Shqipëri, dhe nëse çdo gjë është në rregull, do të isha i lumtur dhe i lehtësuar për ta shkruajtur këtë gjë me gërma të mëdha, e zeza mbi të bardhë.

Së fundmi, dua të informoj se Exit.al ka pyetur zëdhënësen e BE-së Maja Kocijančič nëse etiketimi “lajme të rreme” në përgjigje të akuzave për korrupsion nga media është pjesë e politikave të BE-së dhe jemi duke pritur përgjigjen e saj.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>