Ambasadorja e SHBA-ve, në Tiranë Yuri Kim i ka bërë thirrje qytetarëve të mos e shesin votën, e të mos votojnë personat e ndaluar të hyjnë në SHBA. Në mënyrë indirekte ambasadorja bëri thirrje të mos votojnë Tom Doshin, dhe të tjerë si ai:
“Kur kërkoni ndihmën e Shteteve të Bashkuara, ju kemi treguar qartë se kush nuk duhet të jetë në parlament, kush nuk duhet t’ju përfaqësojë. Ky person është dikush të cilit i ndalohet të hyjë në Shtetet e Bashkuara, në të gjithë vendin, nga Sekretari i Shtetit, për korrupsion madhor, ndaj mendoj që kjo ka më shumë peshë se çfarëdo fatura dyqanesh që paguan, çfarëdo fature spitali që ka paguar”, u shpreh Ambasadorja në një interviste për gazetarin lutfi Dervishi në RTSH, të martën.
Ambasadorja u shpreh se “votuesit [..] Duhet të vrasin mendjen, kur kriminelët dhe të tjerët vijnë tek ata për t’iu blerë votat… Pse i quaj kriminelë? Sepse përpjekja për të blerë vota është një krim ndaj jeni një kriminel”.
“Mos e merrni lehtë; mos shisni votën; mos u përpiqni të bleni një vote dhe nëse e bleni, duhet të shkoni në burg dhe shpresoj se prokurorët kudo në vend do t’i marrin detyrat e tyre seriozisht.
Ma tregoni me veprime, tregojeni me veprimet tuaja se e keni seriozisht. Nuk mund të ndodhë që më kërkoni opinionin tim si Shtetet e Bashkuara, unë jua jap dhe pastaj ju vazhdoni të bëni të njëjtën gjë.
Nëse doni ndryshim, votoni për ndryshim. Nëse doni kriminelë, votoni për kriminelë. Por ajo që bëni duhet të përputhet me atë që thoni se doni. Dhe 25 prilli është momenti”, u shpreh Kim.