Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Vincenzo Del Monaco takoi, të mërkurën, Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi për të biseduar për përgatitjen e zgjedhjeve të 25 prillit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, OSBE njoftoi se tema kryesore e bisedës ishte përdorimi i teknologjisë në zgjedhje, mundësimi i votës së emigrantëve shqiptarë dhe vëzhgimi i rasteve për keqpërdorimin e mundshëm të burimeve njerëzore për qëllime elektorale.
Takimi i kreut të OSBE-së vjen pak ditë para se një mision i OSBE/ODIHR-it të vizitojë Shqipërinë në 24 janar, për të vëzhguar masat dhe procesin përgatitor për zgjedhjet e 25 prillit.
Vizita paraprake e misionit ka për qëllim vlerësimin e situatës parazgjedhore në vend.
Misioni do të takohet me përfaqësues të ministrisë së Jashtme, asaj të Brendshme, KQZ-në e re, Këshillin Politik, Kolegjin Elektoral, ashtu si dhe me përfaqësues të Autorietit të Mediave Audiovizive.
Po ashtu, misioni parashikon të zhvillojë takime dhe me partitë politike, median, shoqërinë civile dhe komunitetin ndërkombëtar.