Diskutimi i hapur nga një studiuese e njohur amerikane mbi praninë e ndërtesave të arkitekturës fashiste në Itali, ngjalli shumë ironi në mediat italiane, por tema e marrëdhënies me të shkuarën, me dëshmitë dhe me mbetjet e së shkuarës, është një temë aktuale edhe në Shqipëri, në veçanti në Tiranë ku një dëshmi e çmuar e kulturës më të mirë racionaliste (ose, për ta thënë më mirë, fashiste) deri tani pothuajse gjithmonë ka mbrojtur mjedisin urban të qytetit (i cili i përket periudhës fashiste) nga sulmi i ndërtuesve të vrazhdë, injorantë dhe të etur për para.
Gati gjithmonë, sepse plagosja e rëndë estetike dhe logjike që kantieri i ndërtimit të një hoteli të ri (me alibi stadiumin e integruar) i ka shkaktuar kompleksit monumental të stadiumit të vjetër, tashmë i shembur, nuk do të mund të shërohet as nga harresa e kohës.
Amerikanët, në të vërtetë të përfshirë në një valë histerie populiste, në mënyrë të pakutimptë duan sot të shembin statujat që kujtojnë të shkuarën, nga ato të konfederatës (që përkujtojnë betejat e Jugut gjatë Luftës Civile) e deri tek shembja e statujave të Kristofor Kolombit, që hipotetikisht është emigranti i parë i tyre.
Por historia amerikane, me kapitujt e saj të hekurudhave dhe të kufijve të rinj, u shkrua nga emigrantët që pasuan Kolombin, ndërsa amerikanët vendas, shumë kohë përpara se të ishin në gjendje për t’u ankuar për të drejtat e tyre, u segreguan dhe u shfarosën nga stërgjyshërit e atyre që sot duan të heqin statujat e udhëtarit gjenovez, në emër të një lufte të pakuptimtë kundër supremacistëve të bardhë.
Ndoshta me të njëjtën logjikë që piktori–arkitekti–filozofi–politikani që sot sundon i pashqetësuar Shqipërinë, kërkon të zëvendësojë vepra me një vlerë të padiskutueshme arkitektonike, dhe dëshmi të një faqe të harruar të historisë shqiptare, me piramida të kthyera mbrapsht të një arkitekti belg që nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë, e aq më pak me legjitimimin e historisë.
Dhe është pikërisht Historia, viktima e paracaktuar e këtyre sulmeve të kryera nga injorantë dhe përçarës, qofshin shqiptarë apo amerikanë, paçin gjyshe italiane apo irlandeze; madje është pikërisht mungesa e aftësisë për të përpunuar prespektivën e historisë ajo që i bën të mundura sulme të tilla kulturore, në të vërtetë vetëvrasëse.
E tashmja mbizotëron në mënyrë të pakundërshtueshme jetën e përditshme amerikane e akoma më shumë atë shqiptare, por historia nuk lind nga trashëgimia e të tashmes, dhe aq më pak nga përpjekjet për të fshirë të shkuarën.
Italianët, që mes historisë (dhe arkitekturës) janë lindur e rritur, dhe nga rëndësia e sinteza shekullore e shumë kulturave janë formuar, nuk arrijnë të përmbajnë ironinë përballë këtyre fakteve, siç e tregon një artikull pa autor i gazetës amerikane Sole 24 ore, të cilin po e sjellim më poshtë në përkthim.
“Përse Italia ka ende kaq shumë monumente fashiste?” New Yorker provokon, rrjeti e sulmon
“Si ndodh që Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë përfshirë në një proces të debatueshëm të rrëzimit të së shkuarës konfederacionaliste, Franca ka hequr të gjithë emrat e rrugëve në nder të marshallit bashkëpunëtor fashist Petain, ndërsa Italia i lejon monumenteve të saj fashiste të mbijetojnë në mënyrë të pakundërshtueshme?”
Pyetja, e thatë dhe provokuese, vjen nga një artikull i botuar pak ditë më parë në revistën e njohur amerikane New Yorker, nga Ruth Ben-Ghiat, profesorja e historisë dhe studimeve italiane në Universitetin e Nju Jorkut.
Artikulli i referohet në veçanti pallatit Colosseo Quadrato, Pallati Italian i Qytetërimit dhe Punës, në hyrje të të cilit është piktura murale Apoteoza e Fashizmit. Autorja e pershkruan godinën si “relike të një përçudnimi të egër fashist”, dhe për të cilin autorja thotë se “në vend që të shmanget nga historia, në Itali pallati festohet si një ikonë moderne”, duke kujtuar se në vitin 2004 pallati u njoh si “vend me interes kulturor”, në vitin 2010 u ristrukturua pjesërisht dhe pesë vjet më vonë u ktheu në selinë qendrore të firmës së famshme të modës Fendi.
Artikulli i përcjellë në faqet sociale të revistës ngjalli një debat të vërtetë, me komentet e qindra lexuesve, amerikanë dhe italianë, shumica kritikë ndaj autores, dhe pak në favor të saj.
Në rrjetet sociale breshër kritikash
“A keni dëgjuar ndonjëherë të flitet për razionalizmin?”—pyet në mënyrë sarkastike një lexues.
“Pallati i Federal Reserve në Uashington është një shembull i të njëjtës arkitekturë të viteve 30-të të Evropës fashiste”, shkruan një tjetër.
“Çfarë të bëjmë me Koloseun? Ishte një arenë mizorish”, replikon dikush tjetër. Përsëri: “Arkitektura razionaliste është e shtrenjtë dhe duhet të vlerësohet. Nuk ka të bëjë fare me nostalgjinë e fashizmit.”
Artikulli i New Yorker kujton praninë e madhe të simboleve fashiste në të gjithë Italinë, mbi të gjitha në Romë dhe vë në dukje se ndërsa vendet e tjera evropiane u përfshinë në fushata për heqjen e elementëve të historive “raciste dhe të përgjakshme”, ndërsa në Itali, akuzon autorja, “disa vepra madje janë ristrukturuar”.
Autorja citon ndër të tjera rastin e muzeut të Predappio-s dhe risjell fjalët e presidentes së parlamentit italian Laura Boldrini, e cila synon të heqë të gjitha simbolet e lidhura me fashizmin, duke pyetur në fund se kur do të përfshihet seriozisht Italia për heqjen e këtyre mbetjeve të një të shkuare të errët.
Artikulli shkaktoi shumë debate në rrjet. Argumentat kryesorë të dikutimeve janë të tilla si: vlera arkitektonike e këtyre veprave i dallon dhe në një farë mënyre i izolon nga regjimi fashist; historia nuk fshihet duke rrëzuar monumente.
“Këto gjëra i bënë ISIS”
“Italianët dhe amerikanët kanë një koncept thellësisht të ndryshëm mbi historinë kombëtare.” Kjo lexohet në një nga replikat e shumta në rrjetet sociale mbi këtë artikull. “E kuptojmë, nuk keni një histori kaq të vjetër sa e jona[..] Ne e mbrojmë dhe e kuptojmë historinë tonë”.
Ndërsa shumë komentues të tjerë italianë thjeshtë theksojnë faktin se: në Itali nuk jemi mësuar të shkatërrojmë historinë dhe as të shkuarën tonë. “Këto gjëra i bën ISIS”.
Nëse qëllimi i artikullit ishte të ngjallte debat, sigurisht që autorja ja arriti edhe pse ata që kanë shprehur mbështetje për argumentin e saj numërohen me gishtat e dorës. Në përgjithësi, komentuesit kanë theksuar dy argumente të rëndësishme: vlera arkitektonike e këtyre veprave i dallon dhe në një farë mënyrë i izolon ato nga regjimi fashist, dhe faktin se historia nuk fshihet duke rrëzuar monumentet.
Artikulli kishte përfshirë edhe ndonjë rresht në favor të këtyre argumentave në mbrojtje të kuptimit të këtyre monumenteve, duke sjellë përgjigjen e Rosalina Vittorinit, shefes së Docomomo-s, shoqatës që merret me ruajtjen e komplekseve urbane.
Pyetjes se çfarë mendojnë punëtorët e Fendit çdo mëngjes kur shohin pikturën e Duçes në hyrje të godinës, Vittorini i përgjigjet thjesht: “Përse mendoni se ata duhet të mendojnë ndonjë gjë?!”.