Duke nisur nga e hëna, 21 dhjetor, në Amerikë do të nisë vaksinimi i qytetarëve me vaksinën e dytë anti-Covid të miratuar, atë të kompanisë Moderna.
Shpërndarësi i ilaçeve, kompania McKesson Corp, filloi marrjen e dozave të vaksinës nga fabrikat e prodhimit të shtunën për ta shpërndarë atë në të gjithë vendin.
Qeveria amerikane planifikon të shpërndajë gjatë javës së ardhshme një total prej 7.9 milion doza vaksinash, prej të cilave 5,9 milionë do të jenë nga Moderna dhe 2 milionë doza nga kompania Pfizer, e cila ishte kompania e parë që mori miratimin për përdorimin e vaksinës.
Shumë shtete amerikane kanë zgjedhur të shpërndarjnë vaksinën e Modernës në zona rurale pasi kushtet e saj të ruajtjes janë më të lehta për tu plotësuar se sa kushtet që kërkon vaksina e Pfizerit – vaksina e Modernës mund të ruhet për 30 ditë në frigoriferë me temperaturë standard, ndërsa ajo e Pfizerit duhet të ruhet në temperaturë -70 gradë dhe mund të durojë vetëm 5 ditë në temperature standard frigoriferike.
Të parët që do të vaksinohen janë punonjësit e sistemit shëndetësor dhe më pas grupet më të rrezikuara, duke nisur nga të moshuarit me sëmundje shoqëruese.