Të gjithë ish-zyrtarët e lartë që nuk janë në poste drejtuese dhe kanë pasuri të padeklaruar, do të mund të përfitojnë nga amnistia fiskale.
Fillimisht Kryeministri Rama kishte premtuar se nga amnistia nuk do të përfitonin zyrtarët dhe ish-zyrtarët e lartë. Por tashmë duket se qeveria do të lejojë dhe legalizimin e pronave dhe parave të vëna përmes korrupsionit të ish-zyrtarëve, pa pasur detyrime për të treguar se si i kanë fituar pasuritë.
Në draftligjin e hartuar nga Ministria e Financave, i cili pritet të miratohet në Kuvend në javët në vijim, përjashtohen nga amnistia vetëm ata zyrtarë të lartë që vazhdojnë të jenë në poste si kryeministër, ministra, kryebashkiakë, drejtorë etj, dhe ata që janë në detyrë në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit.
Nga ky projektligj do të mund të përfitojë e gjithë opozita jashtë parlamentare, përfshirë kryetarët e partive të opozitës dhe ata që kanë qënë deputetë e ministra.
Gjithashtu të gjithë ish-kryeministrat, ish-ministrat, ish-deputetët, ish-kryebashkiakët, ish-drejtorët e lartë, ish-prefektët, ish-magjistratët, etj që nuk janë më në poste publike mund të deklarojnë pasuritë e tyre pa pasur detyrime për të treguar se ku i kanë fituar pasuritë, pa mbajtur përgjegjësi penale dhe pa paguar detyrime fiskale ndaj shtetit.
Amnistia fiskale parashikohet të zgjasë 1 vit: të fillojë në 1 janar 2021 dhe të mbarojë në 31 dhjetor 2021.
Në një draftligj të mëparshëm parashikohej se përjashtoheshin nga amnistia fiskale zyrtarët e lartë që kanë qenë në detyrë në 3 vitet e fundit që nga hyrja në fuqi e ligjit.
Për të lexuar më shumë për amnistinë fiskale, klikoni këtu.