Qeveria Rama ka deklaruar në ditët në vijimi do të miratojë projektligjin për amnistinë fiskale e cila do të lejojë deklarimin dhe depozitimin e pasurive ligjërisht në banka, pa detyrime fiskale dhe pa përgjegjësi penale në këmbim të një përqindje që do të shkojë në buxhetin e shtetit.
Kjo iniciativë për amnisti përbën një shkelje mbi shtetin e së drejtës duke shfajësuar shkelësit dhe abuzuesit me tatimet që goditjen më të madhe e jep kundër tatimpaguesve të ndershëm të cilët kanë besuar tek shteti e kanë zbatuar ligjet në fuqi.
Ajo që e bën akoma më të dëmshme dhe dyshimtë këtë nismë radikale është fakti që ajo po ndërmerret në një vit elektoral, kur zakonisht qeveritë kanë minimumin e legjitimitetit për reforma rrënjësore sepse duhet të jenë të vetëpërmbajtura në rol kujdestar deri në zgjedhje parlamentare.
Partia Socialiste nuk e ka pas paraqitur gjatë vitit 2017 në program elektoral apo në program qeverisës çështjen e amnistisë fiskale si dhe duhet theksuar që ka pasur tashmë 7 vjet mundësi për ta ndërmarrë këtë nismë.
Me këtë veprim qeveria socialiste synon që të vrasi dy zogj me një gur. Nga njëra anë synon të shtojë të ardhurat e buxhetit e me paratë e shtuara të bëj investime elektorale. na tjetër bën një veprim populist që rehaton shumë evazorë fiskalë dhe mund të sjelli një fluks parashë në ekonomi që mund të ketë efekt elektoral.
Amnistia fiskale është një politikë qeveritare që është bërë nga shumë vende në të kaluarën tashmë e për rrjedhojë goxha mirë e studiuar. Shumica e qeverive që ndëmarrin amnisti fiskale e bëjnë këtë gjë për të siguruar të ardhura të shpejta për të mbyllur gropat e buxhetit që janë shkaktuar prej shumë vite keq-qeverisje e menaxhim të papërgjegjshëm të parave të taksapaguesve. Një tjetër përfitim që shpresohet të arrihet prej amnistisë fiskale është zgjerimi i bazës së taksapaguesve.
Kjo do të thotë se aministia përdoret nga shtete të ndryshme duke shpresuqr që t’iu japin një mundësi evazorëve fiskalë pra ekonomisë informale që të formalizohet. Disa qeveri e shikojnë amnistinë si një metodë e butë, me kosto të ulët administrative, për të kthyer “në vathë delet e humbura të kullotës së Perëndisë” që gabimisht apo në pamundësi nuk kanë paguar taksat. Përpos kësaj shikohet edhe si stimul ndaj ekonomisë duke shtuar kapitalin që futet në qarkullim në treg.
Mirëpo amnistia ka kosto shumë më të mëdha se përfitimi, e nuk bëhet fjalë thjesht për kosto materiale. Dëmi më i madh është padyshim penalizimi i sundimit të ligjit. Amnistia fiskale demoralizon taksapaguesit e ndershëm të cilët ndihen të fyer nga shteti që nuk shpërblen sjelljen e mirë në përputhje me ligjin.
Ky është një mesazh shumë i shëmtuar që përligj evazionin fiskal dhe shmangien e detyrimeve ligjore duke rrënuar rendin ligjor. Prandaj amnistia duhet të konsiderohet edhe një kapitullim i shtetit ligjor, që sinjalizon një qeveri të dobët që është e paaftë për të përmbushur një prej detyrave të saja më bazike, mbledhjen e taksave.
Amnistia ka dëme që shkojnë përtej dimensionit ekonomik sepse sjellin një krisje të sistemit moral të referencës në një shtet. Krijohet përshtypja se shkelja e ligjit që bëhet duke shmangur taksat nuk është ndonjë shkelje kushedi, është një mëkat i vogël i papërfillshëm.
Amnistia nënkupton se shkelin ligjin nëpërmjet shmangies së taksave nuk kanë bërë ndonjë akt të dënueshëm, përkundrazi janë treguar më dinakë e të mprehtë se si ia kanë hedhur sistemit pa iu hyrë gjemb në këmbë.
Këto janë mesazhe shumë të gabuara për një shtet si yni që ashtu-kështu lë shumë për të dëshiruar për sa i përket zbatueshmërisë së ligjit. Për më tepër që aministia do të mundësojë formalizimin e parave të pista të akumuluara nga trafiqet e drogës, kontrabanda dhe korrupsioni do i japi mundësi krimit në Shqipëri që të organizohet e çimentohet edhe më shumë. Amnistia do i mundësojë krimit që të hedhi metastazat e tij edhe më tej në ekonominë e vendit duke e zaptuar tërësisht e në mënyrë të pakthyeshme “tashmë me letra” e jo veç me dhunë e “në të zezë”.
Mirëpo po të shikohet edhe nga ana praktike, mund të thuhet se përfitimi financiar i qeverisë shpesh ekzagjerohet. Janë shumë raste vendesh ku janë ndërmarrë amnisti fiskale që kanë siguruar të ardhura shumë më të vogla sesa pritej. Këto vende pasi kanë zbatuar amnisti fiskale, kanë zbuluar se amnistitë thjeshtë kanë gjeneruar të ardhura që gjithësesi do ishin mbledhur në mungesë të amnistisë. Kanë zbuluar se paratë që kanë hyrë prej amnistisë janë të ngjashme me paratë që do hynin në xhepin e qeverisë prej gjobave, borxheve apo kamatë-vonesave që do paguheshin nga evazorët fiskalë.
Përpos kësaj taksapaguesit mund të mos ndihen të obliguar që të paguajnë tatimet kur shohin se nuk do mbajnë përgjegjësi ligjore fal amnistive të pritshme në të ardhmen. Amnistia shpesh ushqen bindjen se është mirë të shmanget pagesa e tatimeve sepse në një kohë të dytë me siguri do të ketë sërish një amnisti tjetër. Kjo do të thotë që shpresa e qeverisë se do mund të zgjerojë bazën e tatimpaguesve faktikisht anullohet nga pritshmëria për amnisti të mëtejshme çka shkakton një efekt shumë negativ në respektimin e taksave në planin afatgjatë.
Normalisht do duhej që paralelisht me amnistinë, të ndërtohej një sistem i fortë dhe efikas kundër evazionit, për të lënë të kuptohet se ky është një shans që ikën e nuk përseritet më dhe se pas filan afati ka për të rënduar dora e fortë e ligjit tek secili evazor. Asgjë e kësillojtë nuk është parashikuar nga kjo qeveri, prandaj gjasat janë që situata e amnistisë fiskale t’i ngjajë amnistisë së procesit të legalizimit të ndërtimeve pa leje.
Mundësia për të legalizuar ndërtimet pa leje pa masat shtrënguese për të penguar ndërtimet të reja pa leje, vetëm sa inkurajoi për më shumë ndërtime pa leje, të cilat vazhdojnë ende edhe sot anembanë Shqipërisë.
Këtu duhet theksuar se paratë “e zeza” nuk sjellin zhvillim e as zgjidhin problemet ekonomike të një vendi. Shtimi i parave në qarkullim prej legalizimit të parave të pista mund të japi një efekt të përkohshëm ekonomik por në nivel afatmesëm e varros ekonominë. Krimi minon institucionet ligjore që mundësojnë lulëzimin e ekonomisë dhe paratë e krimit bëjnë dumping ndaj bizneseve të ndershme duke i çuar në falimentim
Kuptohet që zgjidhja më e moralshme për të zvogëluar defiçitin buxhetor është padyshim kursim, ulja e shpenzimeve publike dhe shpenzimi në mënyrë efikas dhe ndershmëri të parasë publike. Po ashtu mënyra tjetër e mirë dhe e shëndetshme për të zvogëluar buxhetin është rritja e të ardhurave të qeverisë si pasojë e rritjes ekonomike.
Pra një qeveri duhet të ndërtoj institucionet e nevojshme e duhet të ndërmarrë politikat e duhura që do mund të nxishnin rritjen e ekonomisë dhe nëpërmjet saj shtimin e natyrshëm të të ardhurave të qeverisë.
Përpos kësaj duhet thënë se është e vërtetë që Shqipëria vuan nga një nivel i lartë informaliteti dhe duhen marrë masa për ta formalizuar. Mirëpo amnistia nuk është rruga më e mirë për këtë gjë. Një ndër praktikat kryesore është padyshim është ulja e taksave për të inkurajuar bizneset që të formalizohen.
Shqipëria aktualisht ka barrën më të madhe të taksave në rajon duke u renditur në nivelin e 123-të nga 189 shtete që janë marrë në analizë prej raportit të “Pagesa e Taksave” të hartuar nga Banka Botërore, IFC dhe PwC. Në krahasim Maqedonia e Veriut është në vendin e 37-të, Kosova në vendin e 48-të, Mali i Zi 78-të dhe Serbia e 85-të.
Së fundmi qeveritë demokratike duhet të ndërtojnë e forcojnë institucionet shtetërore duke rritur integritetin dhe efikasitetin e tyre në mënyrë që të inkurajohet respektimi vullnetar i taksapaguesve ndaj tyre.
Me pak fjalë është gjithashtu e rëndësishme, që qeveria dhe institucionet shtetërore të tregojnë përgjegjshmëri dhe ndershmëri në mënyrë që tatimpaguesit të binden se taksat e tyre nuk po shkojnë dëm, por se qytetarët dhe shoqëria janë duke marrë diçka të vlefshme në këmbim të taksave që po paguajnë.