AMT kundër deklaratës së Ambasadorit Soreca: urojmë të mos jetë gjë tjetër veç gjykim i dobët

AMT kundër deklaratës së Ambasadorit Soreca: urojmë të mos jetë gjë tjetër veç gjykim i dobët

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit apo ka lëshuar një deklaratë të ashpër kritike ndaj qendrimit të sotëm të Ambasadorit të BE-së Luigji Soreka, i cili dha mbështetje indirekte për tenderin e tjetërsimit të tokës publike të teatrit.

“Të pajustifikuar, të panevojshme dhe të dëmshme” e ka quajtur Aleanca deklaratën e ambasadorit, e cila i jep “legjitimitet një tenderi fiktiv, me fitues të paracaktuar, për një zhvillim privat që do të financohet nga para me origjinë të dyshimtë”.

Ajo e ka quajtur dhënien e gjykimeve për një tender nga ambasadori si veprim përtej kompetencës dhe statusit të tij diplomatik, dhe ka renditur një sërë shkeljesh kushtetuese dhe ligjore të cilat janë shpërfillur nga ambasadori.

Aleanca shprehet se për shkak të paralizës që zbatimi i reformës në drejtësi i ka sjellë gjyqësorit, Ambasadori Soreka duhet të tregonte mirëkuptim dhe të kërkonte ndaljen e projektit, deri në rithemelimin e Gjykatës Kushtetuese.

Së fundmi, duke shprehur indirekt dyshime se pohimet e ambasadorit mund të jenë qëllimisht të njëanëshme, Aleanca i bën atij thirrje të rishikojë qendrimin e tij bazuar në faktet dhe vlerat europiane.

Më poshtë është teksti i plotë i deklaratës së Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit:

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e konsideron të pajustifikuar, të panevojshme dhe të dëmshme deklaratën e sotme të Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca.

Deklarata nënkupton mbështetje për një procedurë të paligjshme dhe korruptive për rrëmbimin nga ndërtues privatë të një trualli publik në zonën më të lakmuar të Shqipërisë.

Fatkeqësisht, Ambasadori Soreca është përpjekur t’i japë legjitimitet një tenderi fiktiv, me fitues të paracaktuar, për një zhvillim privat që do të financohet nga para me origjinë të dyshimtë.

Pohimet e Ambasadorit Soreca është jashtë kompetencës së tij dhe përtej statusit të tij diplomatik. Por mbi të gjitha, ai bie ndesh me interesin publik, shtetin e së drejtës dhe parimet e demokracisë, për fuqizimin e të cilave taksapaguesit evropianë kanë paguar dhe vazhdojnë të paguajnë qindra milionë euro.

“Ligji special” i teatrit shkel Konventën Aarhus për informimin dhe përfshirjen e publikut në vendim-marrjen; shkel parimet kushtetuese të autonomisë lokale dhe të barazisë para ligjit; si dhe sligjet e prokurimit publik dhe të konkuencës.

Ligji është apeluar në Gjykatën Kushtetuese nga Presidenti, por mungesa e kësaj gjykate i ka dhënë pushtet absolut qeverisë të miratojë dhe zbatojë ligje antikushtetuese pa asnjë kontroll apo kufizim institucional.

Komisioni Europian dhe Delegacioni i BE-së kanë qenë lojtarë kryesorë në hartimin dhe zbatimin e Reformës në Drejtësi, ndaj do të ishte mirëkuptuse nga Zoti Soreca t’i bënte, sot, thirrje qeverisë që të ndalonte zbatimin e projektit të teatrit deri në shqyrtimin e ligjit nga Gjykata Kushtetuese.

Do kishte qenë gjithashtu shenjë e përunjësisë dhe përgjegjësisë së Ambasadorit ndaj shqiptarëve që ai të përpiqej të kufizonte sa të mundej pushtetin arbitrar që ka fituar Kryeministri, si pasojë e paralizimit të gjyqësorit.

Reforma në drejtësi ishte e domosdoshme dhe me qëllimet eduhura, por për shkak të keqplanifikimit dhe keqzbatimit të saj ne ndeshemi sot më rrënimin thuajse total të sistemit gjyqësor, çfarë ka çuar në situate si kjo e teatrit.

Fatkeqësisht, Ambasadori ka zgjedhur të rreshtohet në krah të Edi Ramës e Shkëlqim Fushës, dhe kundër artistëve, intelektualëve dhe qytetarëve të ndershëm të Tiranës dhe Shqipërisë.

Na mbetet veç të urojmë që ky rreshtim i tillë të mos jetë asgjë tjetër veç një gjykim i dobët i Ambasadorit, dhe ne i bëjmë atij thirrje që të rimendojë pozicionin e tij bazuar vetëm në fakte dhe në vlerat demokratike që ai duhet të përfaqësojë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>