Analiza e numrave: bashkimi i sotëm opozitar do t’i kishte fituar zgjedhjet e vitit 2017

Analiza e numrave: bashkimi i sotëm opozitar do t’i kishte fituar zgjedhjet e vitit 2017

Javën e kaluar Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet iu bashkua koalicionit opozitar, ku përveç partisë Demokratike bëjnë pjesë edhe LSI, PR, PDNJ, PAA.

Në një shkrim për Albania Free Press, hulumtuesi i opinionit publik Eduard Zaloshnja analizon ndikimin e mundshëm një bashkimi të tillë në zgjedhjet e ardhshme.

Përfundimi i tij, mbështetur mbi analizën statike të rezultateve të shkaura zgjedhore, është se ky bashkim do t’u sjellë forcave opozitare fitoren në zgjedhjet  parlamentare të radhës.

Zaloshnja informon se bashkimi i tanishëm ka marrë rreth 900 mijë vota në zgjedhejt e vitit 2017, përkundrejt rreth 820 mijë votave që mori në to Partia Socialiste.

Në këto zgjedhje duke marrë 48,5 për qind të votës popullore, Partia Socialiste fitoi 74 mandate parlamentare, pra rreth 53 për qind të vendeve, për shkak të natyrës rajonale të sistemit tonë proporcional.

Duke analizuar këto reultate, Zaloshnja shprehet:

“Po, a është vërtetë e pamundur fitorja e opozitës ndaj Ramës në zgjedhje? Pavarësisht se PS-ja siguroi 74 mandate në zgjedhjet e vjetshme, ajo mori vetëm 48,5 për qind të votës popullore. [..] Në qoftë se PD-ja, PR-ja LSI-ja, PDIU-ja, LIBRA etj. do të kishin krijuar një koalicion të madh parazgjedhor, PS-ja nuk do të kishte fituar dot më shumë se 69 mandate”.

Politiko.al ka bërë gjithashtu një analizë të të dhënave të votuesve dhe votave në zgjedhjet e vitit 2015, dhe ka arritur në përfundimin se:

“Politiko.al ka bërë një përllogaritje matematokore të rezultateve të koalicioneve në zgjedhjet lokale të 2015-s, duke hequr votat e LSI-së dhe PDIU-së nga koalicioni Aleanca për Shqipërinë Europiane (ASE), që kryesohej nga PS, duke ia shtuar koalicionit Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet, (APPD), që kryesohej nga PD. Po ashtu koalicionit APPD i janë shtuar votat e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ) e Vangjel Dules, e cila në zgjedhjet e 2015-s kandidonte si e pavarur, jashtë koalicioneve.”

Duke përdorur rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017, dhe duke i përshtatur ato për zgjedhjet e pushtetit vendor, mund të parashikohet se opozita e sotme e bashkuar do të mund të fitojë 41 bashki, përshi bashkitë e rëndësishme në Tiranë, Durrës, Berat, Elbasan, Fier, Gjirokastër, Kukës, Lezhë, Shkodër dhe Dibër.

Natyrisht këto analiza janë statike, pra përdorin një rezultat në kohë për të parashikuar rezultatin në një kohë tjetër, duke mos konsideruar zhvillimet politike dhe lëvizjet e elektoratit në periudhën midis.

Por është e arsyeshme të mendohet se zhvillimet e vitit të fundit favorizojnë opozitën, për shkak të një sërë shkandalesh kurruptivë dhe të lidhjeve me krimin që kanë kanë përfshirë socialistët. Është e qartë se opinion publik është gjithnjë e më i zhgënjyer me shumicën qeverisëse dhe ky zhgënjim pakëson votat e shumicës edhe sikur të mos i shtojë ato të opozitës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>