Anatomia e buxhetit të rishikuar 2016

Nga Karl Kuçi
Anatomia e buxhetit të rishikuar 2016

Në buxhetin e rishikuar të vitit 2016, nuk ka ndryshime në planin e të ardhurave fiskale dhe kontributeve—kjo dëshmon se tonet triumfale të sukseseve në tejkalimin e planit të të ardhurave fiskale nuk ishin të bazuara mbi fakte.

Bën përjashtim ngadalësimi i të ardhurave jofiskale, për të cilat qeveria ka ulur parashikimin me 3 miliardë lekë (rreth 22 milionë euro) kryesisht për shkak të mos arkëtimit të fitimeve nga kompanitë në pronësi shtetërore. Kompanitë e mëdha publike—të propaganduara si suksese të miradministrimit rilindas, si OST, OSSHE, Albcontrol, Albpetrol—nuk kanë derdhur ende asnjë lek në arkën e shtetit. Edhe pse me paratë e tyre ato janë përfshirë në shpenzime dhe favore për drejtuesit e kompanive dhe klientët e tyre—nga furnizimi pa pagesë i klientëve të falimentuar të regjimit nga Albpetroli tek shpenzimet për vaska hidromasazhi dhe pajisje palestre për drejtuesit e Albcontrolit.

Në buxhetin e pushtetit lokal janë ulur gjithashtu 2 miliardë lekë (gati 15 milionë euro) nga zëri “të hyra të tjera”, shoqëruar me zvogëlim të shpenzimeve të tyre me 1,25 miliardë lekë dhe shtesë prej 800 milionë të fondeve të transferuara për bashkitë nga qeveria qendrore. Siç duket nuk është shumë e vërtetë se janë rritur taksat lokale, sikurse ankohen shumë tregtarë të vegjël, ose ndoshta rritja e fortë dhe e menjëhershme e taksave lokale ka çuar në rënie të pagesave aktuale—është e vështirë të thuhet me saktësi për shkak të mungesës të të dhënave dhe informacionit nga pushteti lokal.

Parashikimi i të hyrave nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore nuk ka ndryshuar, as për sigurimet shoqërore, as për ato shëndetësore dhe as për pensionet vullnetare. Është e dhënë shumë interesante në mos e diskutueshme, pasi qeveria njofton çdo ditë për rritje të madhe të numrit të të punësuarve, që duhet patjetër të kishte çuar në rritje të kontributeve shoqërore dhe shëndetësore.

Ndërkohë janë rritur, edhe pse pak, shpenzimet që mbulohen nga sigurimet shëndetësore—një rritje prej 150 milionë lekësh (rreth 1,1 milionë euro) në këtë zë është kompensuar plotësisht me një transfertë nga buxheti i qeverisë.

Ndërkohë janë ulur shpenzimet e parashikuara për pensionet me rreth 1,13 miliardë lekë (rreth 8 milionë euro), ulje që është kompensuar me transferime të vogla nga buxheti i shtetit në atë të sigurimeve shoqërore.

Mbetet të sqarohet se si mund të deklarojë qeveria se ka rritur pensionet për të paktën 20 mijë pensionistëve, nga 600 mijë të tillë, pa u reflektuar kjo gjë në parashikimet buxhetore, ndërkohë që Ministri Klosi deklaroi se rritja do t’i kushtonte buxhetit të shtetit rreth 324 milionë lekë (rreth 2,3 milionë euro) vetëm për gjysmën e dytë të 2016-s. Buxheti i ulur i pensioneve mund të jetë rezultat ose i uljes së disa pensioneve ose i uljes të numrit të përfituesve—të dyja duken pak të mundshme, ndaj ky fakt mbetet i paqartë.

Në fakt ulja me 477 milionë lek e fondit të caktuar në buxhetin e fillimvitit për rritjen e pensioneve, zbulon se qeveria në fillim kishte synime më zemërgjera, por pavarësisht deklarimeve triumfale të propagandës qeveritare, ngadalësimi i të hyrave në arkën e shtetit ka shtyrë qeverinë të zvogëlojë në mënyrë drastike numrin e pensionistëve që përfitojnë nga rritja e pensioneve.

Qeveria parashikon, nga ana tjetër, rritjen e të ardhurave për ish-pronarët me 600 milionë lekë (rreth 4,3 milionë euro), rritje e barabartë me fondin e mbetur për kompensimet deri në fund të vitit, pra për periudhën e mbetur deri në fund të vitit do të ketë rritje 100 për qind të fondit të kompensimit.

Shpenzimet publike në total janë ulur me rreth 3,1 miliardë lekë (mbi 22 milionë euro), nga të cilat 1,7 miliardë nga buxheti i qeverisë dhe 1,3 miliardë nga buxheti i pushtetit lokal.

Investimet publike konsiderohen gjerësisht si mjeti më i mirë për të nxitur rritjen e ekonomisë dhe për të zvogëluar raportin e borxhit me prodhimin e përgjithshëm vendas (Shqipëria duhet ta ulë nga 76 për qind në të paktën 60 përqind brenda pak vitesh). Në buxhetin fillestar 2016, qeveria kishte parashikuar për investime një shumë ndoshta qesharake krahasuar me nevojat e vendit (58,8 miliardë lekë ose rreth 42 milionë euro) e cila me aktin normativ është ulur, edhe pse fare pak (në 58,07 miliardë leke). Është shumë krejtësisht e pamjaftueshme për të gjeneruar rritje të vërtetë ekonomike, edhe sikur këto investime të mos ishin më së shumti palma dhe ribërje të fasadave të ministrive.

Por shifra më domethënëse në buxhetin e rishikuar është rënia e investimeve publike të financuara nga donatorët, parashikuar fillimisht 28,4 miliardë lekë (rreth 20 milionë euro) dhe zvogëluar në 24,1 miliardë lekë, e dhënë që nxjerr në pah një raport gjithnjë e më të vështirë të qeverisë me donatorët, përtej mungesës së kapaciteteve për realizimin e investimeve.

Në gjithë historinë e rishikimit të buxhetit lajmi më i keq është rritja e deficitit buxhetor: me aktin normativ qeveria e ka rritur deficitin buxhetor në 1,3 miliardë lekë.

Rritja e defiçitit pa investime dhe pa rritur mbështetjen sociale për njerëzit  më në nevojë është një qasje përtej çdo lloj teorie ekonomike: është qeverisja alla shqiptare, që arrin t’i bëjë të gjithë më keq, me një kosto më të lartë për të gjithë.

Më përjashtim, natyrisht, të oligarkëve, përfitimet e të cilëve nga fondet dhe pasuritë publike nuk i prek asnjë lloj rishikimi buxhetor.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>