Anëtarësohu “kot” sot

Nga Anis Gjoka
Anëtarësohu “kot” sot

Sjellja e PS-së dje në opozitë dhe sot në pushtet duken si nata me ditën.

Shumëkujt i kujtohen fushatat e saj modeste “Përtej së majtës dhe së djathtës” apo “Takim me Shqipërinë”, kur kryetari i saj Edi Rama endej derë më derë, me bllok shënimesh në dorë, duke dëgjuar hallet e popullit të braktisur nga qeveria e kohës e PD-së.

Këto fushata popullore, edhe pse nuk patën ndonjë sukses elektoral, ishin deri diku minimaliste dhe mbi të gjitha pasqyronin realitetin e vështirë ku jetonte populli, duke u bërë thirrje të gjithëve të bashkoheshin në atë që thuhej se do ishte “beteja e fundit” me korrupsionin.

Kudo ku kishte përmbytje e fatkeqësi natyrore ishte e zakonshme të shihje Kryetarin e PS-së të mbathur me çizme, pa nguruar aspak të futej në baltë për t’u solidarizuar me popullin. Kudo ku kishte halle, shihje udhëheqësit socialistë me fytyrat e brengosura nga simpatia dhe merakosje për të tjerët. Kudo kur kishte veprimtari të dyshimtë të qeverisë ishin dhjetra figura socialiste që me dokumenta në dorë recitonin çdo shifër që nuk përputhej në tendera apo koncensione. Dhe në çdo moment ishte një socialist që numëronte të papunët.

Shtresa më e frekuentuar prej socialistëve opozitë ishte fshatarësia dhe të varfrit, të cilët nuk kishin qenë kurrë në vëmendjen e ndonjë qeverie.

Dhe bënin shumë mirë.

Por…

Sot një ushtri fotografësh dhe punonjësish të PR-it, të mirëpaguar nga taksat e të varfërve që takonin dikur, punojnë pa pushim për të përcjellë një tjetër realitet në sytë e popullit.

Sot, në media sot ka veç imazhe konferencash spektakolare, me drita vezulluese që i ngjajnë një spektakli për ndarjen e Çmimeve Oskar.

Sot, kamerat kanë braktisur fshatrat dhe janë përqëndruar në bulevardin kryesor të kryeqytetit, në ato pak qindra metra nga Sheshi Skënderbej tek Parku i Liqenit.

Sot, për fatkeqësitë natyrore akuzohet ose natyra, ose Berisha që na la me borxhe.

Sot, në vend të një milion të papunëve ka njerëz dembelë që nuk duan të punojnë (edhe pse 1 milionë të papunëve u kanë dhënë vetëm 30 mijë vende pune e ndoshta më pak).

Sot, kryetari i Partisë Socialiste lëshon ngado thirrjen fatlumtume: “Anëtarësohu sot” dhe të rinjtë e djeshëm po anëtarësohen me vullnet të lirë në “Partinë e ëndrrave”.

Sot, thonë “Idetë e tua do vihen në veprim”, por të vetmet ide që janë vërtetë në veprim janë idetë e hajdutëve që me koncesione e kontrata shtetërore po grabisin çdo gjë.

Sot, thonë se “Zëri yt do dëgjohet”, por nëse shprehesh përfundon të dëgjosh ti sulmet verbale të një ushtrie socialiste “punonjësish civilë”, të paguar me paratë tona, të cilët rrinë gjithë ditën në Facebook për t’i treguar vendin çdo kujt që guxon dhe thotë ndonjë gjë që “njollos” figurën e udhëheqësve socialistë.

Sot, thonë “Këtu formohen liderët e së ardhmes”, por modeli i liderëve që ofrojnë është ai bythëlëpirësve që karrierën drejt majës e shtrojnë me lavdet për udhëheqësin.

Sot, thonë se duhet të ndërtojmë “Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër”, por modeli që propozojnë është ai i “Shqipërisë së qeverisur nga kokëderra”.

Ndaj, sot, anëtarësimi në FRESSH ka vetëm vlerë si shpresë për një vend pune qyl, deri sa partia të dalë në opozitë.

“Anëtarësohu Kot” se nëse nuk të gjejnë as punë, mund të të ofrojnë një foto artistike me aparat profesional nëpër salla kongresesh për ta postuar në Facebook si dëshmi e “suksesit” tuaj në jetë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>