Vendimit në shkelje të ligjit të Kryeprokurores Marku, për të shtyrë më tej afatin e aplikimeve për kandidatë për në Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP), iu përgjigj vetëm prokurori i Krimeve të Rënda Bujar Sheshi.
Edhe pse teorikisht, kandidatura e Sheshit duhet të ishte e mjaftueshme për të nisur procesin e formimit të KLP-së, ankimimiet që Komisionerët Publikë kanë bërë në Kolegjin e Apelimit për të paktën dy prej kandidatëve, duket se do ta vonojnë për të paktën disa muaj ngritjen e KLP-së.
Më poshtë, Exit.al shpjegon kuadrin ligjor, kandidatët aktualë dhe ngërçin që pengon formimin e KLP-së
Kuadri ligjor për KLP-në
Sipas Kushtetutës, KLP-ja do të ketë 11 anëtarë, gjashtë prej të cilëve do të jenë nga radhët e prokurorëve, ndërsa pesë anëtarët e tjerë nga jashtë sistemit do të jenë respektivisht— 2 anëtarë nga trupa e avokatëve; 2 anëtarë nga trupa e pedagogëve të drejtësisë dhe 1 anëtar nga radhët e shoqërisë civile. Këta të fundit janë zgjedhur më herët nga Parlamenti pas tre raundeve votimi. Ndërkohë 6 anëtarët nga radhët e prokurorëve do të zgjidhen nga prokuroritë e të gjitha niveleve, siç e parashikon neni 105/1 i Ligjit 115/2016 “Për organet e qeverisjes të sistemit të drejtësisë”.
Neni 105/1
“1. Mbledhja e Përgjithshme e prokurorëve të të gjitha niveleve zgjedh 6 anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, sipas raportit të mëposhtëm:
a) tre prej të zgjedhurve janë prokurorë të shkallës së parë. Së paku 1 prej tyre është prokuror në një prokurori pranë gjykatës të shkallës së parë jashtë Tiranës;
b) dy prej të zgjedhurve janë prokurorë të prokurorive pranë gjykatave të apelit, duke përfshirë edhe Prokurorinë e Posaçme për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Së paku 1 prej tyre është prokuror në një prokurori pranë një gjykate apeli jashtë Tiranës;
c) një prej të zgjedhurve është prokuror pranë Prokurorisë së Përgjithshme.”
Gjendja aktuale nga procesi i vetingut për KLP-në
Deri tani janë konfirmuar në detyrë pesë prokurorë të shkallës së parë: Dritan Prençi (Kukës, përkohësisht i emëruar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë) Vate Staka (Shkodër), Arta Marku (Shkodër), Antoneta Sevdari (Tiranë) dhe Gentian Osmani (Prokuroria e Krimeve të Rënda). Kjo do të thotë se ka kandidatë mjaftueshëm që kanë kaluar vetingun, për të plotësuar tri vende në KLP. Prokurorët Besnik Cani dhe Shpëtim Kurti ende nuk janë përballur me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Ndërsa vendimi për Besnik Muçin nga Prokuroria e Krimeve të Rënda është apeluar në KPA nga Komisioneri Publik.
Dy prokurorë të gjykatave të apelit janë konfirmuar, Bujar Sheshi (pas rihapjes së aplikacioneve) dhe Arben Dollapaj (Shkodër), ndaj për këtë pozicion ka mjaftueshëm kandidatë të kualifikuar.
Nga Prokuroria e Përgjithshme, deri tani janë konfirmuar dy prokurorë, Anika Leka dhe Kostaq Beluri, ndaj për këtë pozicion ka mjaftueshëm kandidatë të kualifikuar. Ndërkohë Ramadan Troci nga Prokuroria e Përgjithshme mbetet ende për tu verifikuar.
Ankimimet e Komisionerit Publik
Komisionerët Publikë kanë ankimuar deri më tani vendimet e KPK-së për të konfirmuar në detyrë prokuroren Antoneta Sevdari dhe prokurorin Besnik Muçi.
Ndërkohë ONM i ka rekomanduar Komisionerëve Publikë të apelojnë dhe vendimin për prokurorin e Krimeve të Rënda Gentjan Osmani, për shkak të mosjustifikimit të pasurisë dhe burimeve jo të ligjshme të saj. Deri më tani, në shkeje të afateve, KPK ende nuk e ka zbardhur vendimin e Osmanit, dhe KP nuk ka asnjë mundësi për të apeluar një vendim ende të pazbardhur.
KLP nuk mund të formohet derisa të gjitha ankimimet, duke përfshirë ato të kandidatëve për të cilët Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve ende nuk kanë publikuar vendimet, të jenë marrë në shqyrtim nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Mjafton të themi që KPA ende nuk ka paraqitur një kalendar me zhvillimin e seancave për Sevdarin dhe Muçin, për të parashikuar se formimi i KLP-së nuk do të ndodhë as në muajt e ardshëm.