Vetëm disa ditë pasi ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin lavdëroi policinë shqiptare për punën e mirë kundër trafikimit të drogës dhe krimit të organizuar, Drejtoria Qendrore për Shërbimet e Antidrogës në Itali publikoi raportin vjetor, i cili hedh poshtë plotësisht deklaratat e lavdërimet e Vlahutinit.
Në fakt, sipas Policisë Italiane, viti 2017 ka qenë një vit “historik”:
“Importet e marijuanës në Itali janë rritur ndjeshëm duke arritur në vitin 2017 në një rekord të konfiskimeve, mbi 90 ton nga rreth 41 tonë që ishin në vitin 2016. Trendi i konfiskimeve në Itali, lidhet me kultivimin e marijuanës në Shqipëri, zona nga ku vjen shumica e marijuanës e destinuar për tregun italian dhe evropian, siç e tregon dhe rasti i konfiskimit të sasisë më të madhe, të kapur në Marche vitin e kaluar, prej 8 ton marihuana, e destinuar për në Evropën Veriore.
Klanet shqiptare kanë treguar se kanë një aftësi në rritje të menaxhimit në kultivimin e marijuanës dhe trafikimit të saj. Ata po përdorin çdo vit e më tepër bimë me rendiment të lartë dhe metoda gjithnjë e më të larmishme të fshehjes, kultivimit dhe transportimit në brigjet italiane.”
Antidroga italiane ka publikuar këto të dhëna, pavarësisht nga pretendimet e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj e Kryeministrit Rama për një çrrënjosje “historike” dhe vendimtare të kanabisit në Shqipëri gjatë vitit 2017.