Një nga festivalet më të mëdhenj të muzikës dhe artit në botë është shtyrë për shkak të shpërthimit të koronavirusit.
Festivali Coachella, sipas ritualit të përvitshëm, parashikohej të mbahej disa ditë të muajit prill në shkretëtirën e Kalifornisë me bandën Rage Against The Machine dhe Frank Ocean si performuesit kryesorë të festivalit.
Mësohet se organizatorit të eventit Goldenvoice i është kërkuar nga autoritetet lokale të shëndetit ta shtyjë festivalin, për shkak të përhapjes së rrezikut nga Covid-19.
Goldenvoice njoftoi se këtë vit festivali do të shtyhet për në tetor, dhe se produksioni do të përpiqet maksimalisht për të mbajtur të njëjtin program që ishte parashikuar për muajin prill.
Shifrat e fundit tregojnë se SHBA ka më shumë se 3,400 persona të infektuar me koronavirus dhe 63 vdekje.
Coachella – Festivali i Muzikës dhe Artit, është një nga ngjarjet më prestigjoze botërore në muzikë, zgjat disa ditë rresht dhe ndiqen nga shumë të rinj, ku si audiencë ka edhe shumë të famshëm e yje ndërkombëtarë.
Festivali zhvillohet në luginën Coachella – nga e cila ka marrë dhe emrin, dhe shtrihet në shkretëtirën e Kolorados në Kaliforni.
Vit pas viti, festivali është kthyer në një ndër eventet më të shikuar dhe pritur, ku performojnë këngëtarët dhe grupet më të kërkuar të muzikës amerikane dhe botërore.
Festivali, vit pas viti, thyen rekorde fitimesh dhe shikuesish.
Vitin e fundit festivali u ndoq nga 250 mijë njerëz dhe pati rreth 115 milion dollarë fitime.
Këtë vit pritej të performonin në skenë artistë si Travis Scott, Calvin Harris dhe Lana Del Rey.
Coachella do të zhvillohet në fundjavat e 9, 10 dhe 11 tetor dhe 16, 17 dhe 18 tetor, ndërsa Stagecoach, një festival i muzikës country i organizuar po ashtu nga e njëjta kompani do të mbahet në 23, 24 dhe 25 tetor.
Organizatori i eventit njoftoi gjithashtu se të gjitha biletat e blera janë të vlefshme dhe kushdo që ka blerë një biletë deri më 13 mars do të njoftohet se si të marrë rimbursim.
“Ndërsa ky vendim vjen në një kohë të një pasigurie globale, ne e konsiderojmë shumë seriozisht sigurinë dhe shëndetin e shikuesve tanë, stafit dhe komunitetit tonë,” tha Goldenvoice në një deklaratë.
Deri më tani, për shkak të shpalljes së pandemisë globale nga OBSH nga Koronavirusi i ri – Covid 19 dhe masave të ndërrmara nga vendet për të kontrolluar përhapjen e virusit shumë shfaqje, premiera filmash dhe koncerte janë shtyrë ose anulluar, si dhe janë mbyllur teatro, qendra botërore të artit dhe kulturës, muze të njohur, etj.