Gjykata e Posaçme e Apelit do të japë më 22 shtator vendimin përfundimtar për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla.
Vendimi u mor të enjten pasi trupi gjykues nuk pranoi të merrte më asnjë provë të re të paraqitur nga avokati mbrojtës Sokol Hazizaj.
Adriatik Llalla nuk ka qenë i pranishëm në seancë pasi sipas avokatit të tij ai ndodhet i shtruar në spital për shkak te gjendjes jo të mirë shëndetësore.
Llalla kërkon shpalljen e pafajësisë ose rikthimin për gjykim të çështjes sërish në Shkallën e Parë por me trupë tjetër gjykuese.
Seanca e së enjtes u zhvillua pasi ishte shtyrë tre herë më parë prej mungesës së avokatit të ish-kryeprokurorit.
Lalla kishte apeluar vendimin për dënimin me burg dhe sekuestrimin e pronave nga Gjykata për Korrupsion dhe Krim të Organizuar.
Llalla u dënua me 2 vite burg dhe 5 vite përjashtim nga sistemi i drejtësisë dhe poste publike nga GJKKO, më 20 maj. Gjykata vendosi edhe sekuestrimine një apartamenti në Durrës dhe 4 sipërfaqe toke në emër të tij.
Adriatik Lalla nuk ka pasur burime të ndershme për krijimin e këtyre pasurive, deklaroi Gjykata në vendimin e saj. Gjithashtu, gjykata ka gjetur se Llalla ka blerë pasuri me vlerë të ulët dhe i ka rishitur me vlere të lartë.
Ai u shpall ‘non grata’ nga SHBA-të me arsye e veprave të korrupsionit në poste publike.