Apeli lë në burg sanitaren Alldervishaj

Nga Exit News
Apeli lë në burg sanitaren Alldervishaj

Gjykata e Apelit vendosi të lërë në burg sanitaren e spitalit Shefqet Ndroqi, Tire Alldervishaj. Në seancën e zhvilluar ditën e mërkurë, apeli la në fuqi masën e sigurisë arrest me burg për sanitaren Alldervishaj.

Më 19 janar, Alldervishaj apeloi vendimin e gjykatës së shkallës së parë për arrestin me burg. Ajo kërkoi lirimin e saj dhe një masë më të lehtë sigurie.

Alldervishaj akuzohet për mashtrim, pasi i ka marrë vajzës së një pacienteje një shumë prej 800 mijë lekësh duke u hequr si infermiere.

Prokuroria e Tiranës kërkoi arrest me burg për Alldervirshaj.

Prokuroria nisi, të mërkurën, hetimet për sanitaren, e cila mashtroi familjaren e një pacienteje në spitalin Covid2, duke u hequr si infermiere.

Përmes një njoftimi për shtyp prokuroria shprehet se ‘do të bëjë një hetim të plotë dhe të thelluar për të qartësuar nëse ndodhemi para një rasti sporadik apo para një skeme të mirëfilltë përfitimi nga personeli mjekësor’.

Mbrëmjen e 12 janarit në emisionin Stop u raportua se sanitarja Tire Alldervishaj ka mashtruar duke u hequr si infermiere dhe i ka marrë familjes së pacientes rreth 8 milionë lekë të vjetra për shërbimet brenda në spital. Menjëherë pas lajmit, ministria ka dënuar aktin dhe kërkon shkarkimin e sanitares.

Mëngjesin e së mërkurës, sanitarja u arrestua.

Vajza e pacientes ka denoncuar sanitaren dhe ka dorëzuar në prokurori bisedat me sanitaren për paratë e marra.

Sipas bisedave, sanitarja i kërkonte para vajzës për t’ia shpërndarë mjekëve dhe infermierëve që kujdeseshin për pacienten. Po ashtu sanitarja kërkonte ushqim, ujë dhe mjete të tjera që duhet të mundësoheshin nga spitali, si termometër dhe pampersa.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>