Arkitekti hollandez i kullave tek Liqeni, kthehet të diskutojë për Piramidën

Arkitekti hollandez i kullave tek Liqeni, kthehet të diskutojë për Piramidën

Më 22 janar, Bashkia e Tiranës organizoi një aktivitet tek Piramida e Tiranës, ish-mauzoleumi i Enver Hoxhës, për të diskutuar për të ardhmen e saj. Më shumë se një muaj pasi Këshilli i Ministrave transferoi pronësinë e ndërtesës nga qeveria tek bashkia, Qendra Ndërkombëtare Kulturore Pjetër Arbnori është kthyer në një skenë për kryebashkiakun Erion Veliaj.

Piramida u ndez me drita në ngjyrat e ylberit, nje kopje e dekorimit të saj gjatë aktivitetit ndërfetar “Lutje për paqe”, zhvilluar në po të njejtin vend, menjëherë pas zgjedhjes së Erion Veliajt si Kryetar i Bashkisë Tiranë, në shtator 2015.

Ceremonia mbyllese e aktivitetit “Lutje per paqe”, Shtator 2015

Në aktivitetin e 22 janarit, pjesëmarrësit e të cilit ishin përzgjedhur me kujdes, u rikthye dhe arkitekti holandez Winy Mass, që sipas faqes zyrtare të Ambasadës Holandeze “ndau ide me intelektualë, artistë e njerëz që janë aktivë në skenën kulturore të Tiranës.”

Ashtu si me shumë prej arkitektëve të tjerë në rrethin e Erion Veliajt, lidhja me Winy Mass daton në periudhën kur Kryeministri Rama ishte kryetar bashkie. MVRDV, studioja e arkitekturës së Winy Mass ka qenë më parë fituesja e konkursit për Qendren Tregtare Toptani tek Unaza e Vogël e Tiranës në vitin 2005, aktualisht në përfundim. Në jurinë e atëhershme të konkursit bënte pjesë dhe arkitekti Johan Anrys i studios 51N4E, një tjetër studio e lidhur ngushtë me Edi Ramën. Studioja MVRDV po ashtu është shpallur dhe fituese e konkursit për Masterplanin e Liqenit të Tiranës në vitin 2008. Masterplani i MVRDV-së propozonte ndërtimin e një serë kullash të larta pranë Liqenit Artificial.

Propozimi fitues per Masterplanin e Liqenit nga studio MVRDV – Burimi MVRDV

Edhe pse në vitin 2016, kryebashkiaku Veliaj protestoi përpara Gjykatës Administrative të Apelit kundër vazhdimit të ndërtimit të pallateve në afërsi të liqenit, ai tani bashkëpunon me arkitektë që më parë kanë propozuar ndërtesa të larta në të njëjtën zonë.

Gjithsesi, kjo nuk është aspak e habitshme. Sapo Edi Rama fitoi zgjedhjet në vitin 2013, Partia Socialiste organizoi një konferencë të quajtur “Shqipëria e Gjeneratës Tjetër”, në të cilën në një prej paneleve, artisti Anri Sala dhe arkitekti Winy Maas diskutuan për të ardhmen e Piramidës.

Edhe pse në dukje, Kryeministri Rama e ka dorëzuar kontrollin e Piramidës në duart e të besuarit të tij Veliaj, është e qartë se arkitektët e preferuar të Ramës do të vazhdojnë të luajnë rol të rëndësishëm në të ardhmen e Piramidës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>