Armët kimike, medaljet dhe argumenti politik

Armët kimike, medaljet dhe argumenti politik

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry në udhëtimin e para dy ditëve drejt Beogradit ndaloi vetëm njëzet minuta në Aeroportin e Prishtinës, por asnjë minutë në Shqipëri. Mesa duket nuk e vlerësoi të nevojshme takimin me liderin shqiptar, një herë e një kohë kampion i perëndimit.

Ndërkohë, priftërinjtë françeskanë të Shqipërisë janë duke shprehur ofendimin e tyre për dekorimin nga qeveria të inkuizitorit të At Zef Pllumbit, priftit simbol të ngadhnjimit të besimit dhe qëndresës njerëzore, të cilin Kryeministri Rama, një herë e një kohë kampion i kristianizmit dhe mbështetës i madh i tij, e emëroi këshilltar të tijin kur ishte Ministër i Kulturës.

Nëse vizita e munguar e Kerryt mund të shpjegohet me bezdinë e vazhdueshme amerikane lidhur me ngjarjen e famshme të armëve kimike, protesta e françeskanëve shpjegon bezdisjen e komunitetit fetar, e jo vetëm të tij, për mungesën e konseguencës së veprimeve të Kryeministrit Rama që në çdo moment dëshiron t’i kënaqë të gjithë me veprime e qëndrimeve që nuk kanë koherencë, e që përfundojnë e i bëjnë të gjithë të pakënaqur.

Për të qënë politikan e burrë shteti nevojiten, në fakt, aftësi të ndryshme nga ato të tregtarit të deleve apo tapeteve – nuk mjafton t’u japësh të drejtë të gjithëve, dhe vetëm me qëllimin për t’i bërë për vete.

Për të qënë burrë shteti duhet më shumë. Por edhe për të qënë thjesht kryetar partie duhet më shumë. Duhet një politikë që nuk është vetëm një seri citatesh apo slloganesh, duhet strategji e qartë, por mbi të gjitha duhet një vizion e qëllim, drejt të cilit duhet udhëhequr e gjithë shoqëria. Pastaj nevojitet edhe një parti e vërtetë demokratike dhe jo një grusht oborrtarësh të adhuruar, brohoritur dhe imituar.

Por, tashmë të gjithë po kuptojmë që kjo gjë nuk ekziston, madje, nuk ka ekzistuar kurrë.

Është bllofi i Rilindjes që nuk mban më, bllofi i grupit që u vesh me pushtet për t’u dehur me frytet e politikës, që u vesh si i majtë vetëm për të vjedhur vulën e Partisë Socialiste, që u vesh si perëndimor për të fituar financime dhe mbështetje ndërkombëtare, që u vesh si i moralshëm për të mbushur duart plot, që u vesh si intelektual për të kënaqur instiktet bazike, që u vesh si demokrat për të krijuar mbretërinë absolute. Me çdo kusht.

Por ka ardhur koha e pagesës, dhe tashmë mbreti është lakuriq.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>