Arrestimi i Myftarajt është shkelje e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut

Nga Ilir Aliaj
Arrestimi i Myftarajt është shkelje e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut

Sot në mëngjes u zgjova dhe isha optimist se kriza që ka kapur për fyti Shqipërinë do fillojë të zgjidhet. Nuk e di se nga më erdhi kjo ndjesi, por ja që e kisha. Si gjithmonë, para se të dal nga shtëpia fillova të lexoj portalet, sigurisht ata të besueshmit. Lajmi që lexova—ishhte arrestuar publicisti Kastriot Myftaraj— më dha një ndjesi që më acaronte, por edhe më jepte të drejtë lidhur me optimizmin e mëngjesit tim. Pse? Sepse në një vend që arrestohen publicistë për fjalën e tyre të lirë, sigurisht që kriza është drejt fundit, ata që e bëjnë këtë janë drejtë fundit. Shqipëria e ka provuar këtë në të kaluarën e saj jo të largët.

Megjithatë, në këto pak rrjeshta nuk dua të merrem me komente, por me aspektin ligjor të arrestimit të publicistit Myftaraj.

Për të analizuar këtë do t’i referohem legjislacionit që Shqipëria e ka të detyrueshme për ta respektutar, Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, e më saktësisht nenit 10 të saj.  Duke lexuar me vëmendje komentin në facebook për të cilin u arrestua publicisti Myftaraj, vëreget se ai i është referuar shkrimeve që kanë publikuar mediat kroate për të etiketuar ambasadoren e Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë si Zonja e Parë në Hije (“Prva Dama u sjeni”). Deri këtu nuk ka as fyerje ndaj saj dhe as shpifje dhe as kërcënimi të rendit kushtetutës të Republikës së Shqipërisë.

Në vazhdim  të statusit të tij në Facebook, publicisti Myftaraj ka treguar historinë e saj në Kroaci dhe karrierën e zonjës në fjalë në organizatat ndërkombëtare dhe se nga kush është ndikuar ajo në këtë karrierë të suksesshme që ka pasur, edhe kjo është shumë e qartë se nuk përbën as fyrje, as shpifje e as kërcënim për rendin tonë Kushtetues.

Me sa duket, specialistët e mbrojtjes së rendit kushtetues në Shqipëri, janë marrë gjatë me fjalinë e fundit të statusit të publicistit: “Kështu që çdo shqiptar që do atdheun e vet mund ta vrasë Romanën dhe ky do të ishte një akt antiterrorist, jo terrorist”.

Këtu fillon dhe gabimi i atyre që kanë firmosur dhe ekzekutuar arrestimin e publicistit Myftaraj, pasi siç e kam shprehur që në fillim të shkrimit, Shqipëria e ka të detyrueshme respektimin e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe si rrjedhim edhe të gjitha precedentët që dalin si shqyrtime të rasteve gjyqësore nga kjo Gjykata Europieane e të Drejtave të Njeriut.

Për sa i përket Konventës, neni 10 i saj shprehet: “Çdokush ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit dhe lirinë për të marrë ose për të dhënë informacione dhe ide pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe pa marrë parasysh kufijtë ”.

Ky paragraf i nenit 10 i jep të drejtë çdokujt të shprehë lirshëm idetë e tij, pra në rastin Myftaraj, publicisti ka përdorur këtë të drejtë për të dhënë mendimin e tij duke përdorur shprehjen “mund ta vrasë Romanën”, pra në gjuhën tonë dhe në atë të Konventës ai ka dhënë një opinion të tij dhe asgjë më shumë. Ai nuk ka thënë “duhet ta vrasë Romanën” që përbën direkt kërcënim për këtë person dhe që sigurisht në një rast të tillë do të kishim edhe kërcënim të rendit kushtetues të Shqipërisë.

Për të mbështetur këtë po i drejtohem rasteve gjyqësore që Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka shqyrtuar gjatë punës së saj. Po ndalem tek çështja “Lingens kundër Austrisë”, ku një gazetar botoi një artikull në gazetë dhe kritikoi ashpër Kancelarin e vendit lidhur me bashkëpunimin e pritshëm të tij me një person me të kaluar naziste.

Gjykata në vendimin e saj u shpreh “media ka një rol shumë të rëndësishëm në jetën dhe debatin politik” dhe së dyti edhe pse gazetari e ka kritikuar ashpër kancelarin austriak “Gjykata ka vlerësuar se gazetari e ka bazuar artikullin e tij, ku kritikohet ashpër kancelari, në sjelljet tij, por reagimi ka qenë i nevojshëm, prandaj gjoba që i është vënë atij është e papranueshme për një shoqëri demokratike dhe është në kundërshtim me Konventën Europiane të të Drejtave të  Njeriut”.

Duke u nisur nga fraza që Gjykata ka përdorur, pra, nevojën e një artikulli të tillë, mund të them se edhe për publicistin Myftaraj një koment i tillë ka qënë i nevojshëm, sipas opinionit që ai mbështet se një lojë gjeopolitike po luhet mbi kurrizin e shqiptarëve, prandaj ata mund të reagojnë.

Një tjetër rast që na ndihmon në shpjegimin e paligjshmërisë së arrestimit është “Obershlik kundër Austrisë”, çështja e një gazetari që shkruajti se udhëheqësi i partisë së ekstremit të djathtë Jorg Haider ishte një “Idiot”.

Në vendimin e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut thuhet se “Gjykata vlerëson se liria e shprehjes është jo vetëm në rastet kur flitet për marrje dhe dhënie informacioni që janë në favor ose që nuk janë ofenduese, por gjithashtu edhe ato që ‘ofendojnë dhe shqetësojnë’. Gjykata vlerëson se kudijtë e pranueshëm për një figurë publike janë më të gjera se për një person privat. Prandaj në këtë rast ajo mendon se edhe pse fjala e përdorur shkakton polemikë, ajo nuk është një sulm personal, por një opinion ndaj tij”. Prandaj Gjykata vendosi se dënimi i gazetarit është shkelje e nenit 10 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Siç shihet qartë nga dy rastet e mësipërme, jurispundenca europiane që lidhet me lirinë e  shprehjes duket se i jep të drejtë publicistit Kastriot Myftaraj dhe jo atyre që kanë urdhëruar arrestimin e tij. Sigurisht, unë nuk marr përsipër për të thënë nesë statusi në Facebook i Myftarajt është etik apo jo, por se, pavarësisht, konsideratave etike dhe morale, arrestimi i tij është i paligjshëm.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>