
Tre zyrtarët të Autoritetit Rrugor Shqiptar Durrës janë arrestuar të mërkurën, pasi akuzohen se i kanë dhënë leje një karburanti të ndërtojë një hyrje-dalje në rrugën kryesore, në shkelje me ligjin.
Policia ka shpallur në kërkim dhe Mustafa Kokën, sipërmarrësit e karburantit që akuzohet se ka falsifikuar dokumentet për të përfituar lejen.
Bëhet fjalë për një karburant të ndërtuar në rrugën kombëtarë që lidh zonën e Plepave me Kavajë. Pronari Koka ka ndërhyrë për të marrë leje nga ARRSH-ja për të prishur barrierat e rrugës dhe për ndërtuar një hyrje-dalje për karburantin. Kështu të gjithë ata që kalojnë në këtë rrugë mund të ndalojnë lirisht tek karburanti.
Mustafa Koka, në bashkëpunim me zyrtarët e ARRSH-së, dyshohen se kanë falsifikuar dokumentet për të treguar se toka ku është ndërtuar hyrje-dalja nga rruga kryesore, është në pronësi të Kokës.
Në të vërtetë, Koka është dëmshpërblyer më herët nga ARRSH-ja me rreth 170 mijë euro, për këtë tokë.
Burime nga prokuroria e Durrësit kanë thënë se operacioni për këtë rast po vijon dhe pritet të ketë arrestime të tjera.