Një oficer i marinës italiane dhe një oficer rus u arrestua nga Policia ‘Carabinieri del Ros’, për shkëmbim dokumentash të klasifikuara sekret nga qeveria italiane, në këmbim të pagesës prej 5 mijë euro. TgCom 24 njoftoi se arrestimi u krye gjatë dorëzimit të dokumentave. Ata akuzohen për krime të rënda në lidhje me spiunazhin dhe sigurinë e shtetit.
Prokurori ushtarak i Romës, i cili heton krimet e spiunazhit ka hapur zyrtarisht një dosje hetimore mbi arrestimin e oficerëve italianë dhe rusë. Oficeri italian rrezikon të dënohet me 25 vjet burg.
Shkëmbimi i dokumenteve ndodhi në një parking në Romë. Oficeri italian kishte pasur marrë dokumentat e klasifikuara sekret ndërsa ishte në detyrë në Shtabin e Mbrojtjes.
Ambasadori rus u thirr në Ministrinë e Jashtme të Italisë, ku u njoftua me vendimin e Ministrit Luigi Di Maio për dëbimin e dy zyrtarëve rusë të përfshirë në këtë çështje shumë serioze.
“Unë falënderoj inteligjencën tonë dhe të gjithë aparatet shtetërore që punojnë çdo ditë për sigurinë e vendit tonë “, u shpreh për median Di Maio.
Ndërsa qeveria ruse u shpreh se: “Shpresojmë që kjo çështje të mos ketë pasoja në marrëdhëniet me Italinë”.
Përmes një njoftimi për median, ambasada ruse në Romë bëri të ditur se “tani për tani ne e konsiderojmë të papërshtatshme të komentojmë mbi përmbajtjen e asaj që ndodhi. Në çdo rast, ne shpresojmë që ajo që ndodhi nuk do të reflektohet në marrëdhëniet bilaterale midis Rusisë dhe Italisë”.