Policia e Dibrës ka arrestuar teknikun e kompanisë AlbChrome në minierën e Bulqizës ku humbi jetën dy ditë më parë një punëtor 35-vjeçar si dhe ka proceduar penalisht dy brigadierë.
Sipas policisë, këta persona kanë neglizhuar kontrollin e gjendjes teknike të minierës gjë e cila është bërë shkak më pas për shembjen brenda galerisë, e cila ka lënë të vdekur minatorin.
Në lidhje me aksidentin, komania AlbChrome është shprehur në një deklaratë për mediat se ai ka ndodhur “si pakujdesi gjatë punimeve për armatimin e galerisë”.
Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës ka reaguar duke denoncuar se aksidentet në miniera janë bërë të përditshme dhe fajtorë shpallen minatoret ndërsa nga ana e shtetit nuk është ndërmarrë asnjë hetim.
Me gjithë vdekjet e shumë minatorëve në minierat e kromit në Bulqizë, asnjë drejtues apo pronar i kompanive koncesionare nuk është ndjekur penalisht në tre vitet e fundit.
Në shumicën e rasteve fajtor është bërë minatori duke thënë se “nuk është treguar i kujdesshëm”.