Disa media vendase përcollën të hënën një “lajm” që, edhe pse qesharak, është domethënës: një jaht luksoz që, sipas burimit, është në pronësi të shkrimtares së Harry Potter, J. K. Rowlings, ka kaluar pranë brigjeve të Shqipërisë; në bordin e jahtit është parë dikush që shihte me dylbi në drejtim të brigjeve shqiptare. Natyrisht, përderisa jahti i përket Rowlings, mediat deklaruan që personi me dylbi duhet të ishte i famshëm.
Pak ditë më parë funksionarë të lartë qeveritarë dhe shumë media u mburrën që në Sarandë kishte mbërritur një nga jahtet private më të mëdha në botë, i cili në fakt qëndroi vetëm pak orë—aq kohë sa udhëtarëve të tij iu desh për të bërë një vizitë në Butrint—për t’u rinisur menjëherë për në Korfuz nga kishin ardhur (lexo komentin tonë Superjahti në Sarandë dhe rilindasit në Tiranë).
25 vjet mbas rënies së komunizmit Shqipëria ka mbetur ende një vend të cilit të huajt, më së shumti, i kalojnë pranë dhe e vështrojnë nga larg. Ky “izolim” i ri është shkak i mungesës së kapaciteteve tona turistike, i infrastrukturës së dobët, por edhe i imazhit jo të mirë të në botë.
Qeveritë tonë e lanë bregdetin në duart e zaptuesve të paligjshëm, kriminelëve dhe klasës së biznesmenëve grabitqare që u krijua menjëherë me fillimet e tranzicionit. Këta grabitës, më së shumti injorantë pa asnjë talent dhe vizion veç plaçkitjes, përfituan nga mungesa e planeve zhvillimore, nga mos respektimi i ligjit dhe korrupsioni qeveritar për ta masakruar bregdetin, duke shkatërruar potencialin për zhvilimin e turizmit efikas.
Sot, Shqipëria është ndoshta i vetmi vend në botë që nuk ka qoftë edhe një objekt të standarteve mesatare perëndimore në të gjithë bregdetin e tij. Të vetmet ndërtime me standarte janë vilat luksoze të politikanëve tanë.
Për ta kuptuar nivelin e ulët ku ndodhemi, mjafton një krahasim. Ndërsa mediat tona mburreshin me ”të famshmin” që na shihte nga larg me dylbi, mediat e botës përcillnin pushimet në Dubrovnik të një prej grave më në zë të momentit në botë, Ivanka Trumpit, vajzës së Donald Trumpit, së bashku me burrin dhe tre fëmijët e saj. Me ta në Dubrovnik është një tjetër person jashtëzakonisht i famshëm, Wendi Murdoch, ish–gruaja e miliarderit Robert Murdoch, njeriut më të rëndësishëm në median botërore—pronarit, ndër të tjera, i rrjeteve televizive Sky dhe Fox, gazetës Wall Street Journal dhe studios hollivudiane 21 Century Fox.
Fotografitë që ato kanë postuar tregojnë një Dubrovnik të bukur, me ndërtesat e vjetra karakteristike, kalanë dhe rrënojat e lashta. Natyrisht, në Dubrovnik nuk janë ngritur pallatet të shëmtuara mbi rrënojat historike si në Durrës, nuk është çarë mali për hotelet e shëmtuara të kriminelëve si në Sarandë, nuk është dhënë me koncesion kalaja si në Lezhë, dhe bregdetin nuk e kanë zënë të fortët dhe klientët e qeverisë siç kanë rrëmbyer e po vazhdojnë të rrëmbejnë klientët e qeverisë çdo bukuri të bregdetit të vendit nga Gjiri i Lalzit në Palasë, Dhërmi, Qeparo e kudo.