Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bërë thirrje për qarkullimin me zinxhirë në disa akse të vendit pas reshjeve të dëborës që përfshinë disa zona të Shqipërisë gjatë orëve të natës.
Në njoftimin zyrtar, ARRSH, thotë se kontraktorët kanë bërë shpërnadrjen e kripës dhe pastrimin e të gjitha akseve, si në: Dedaj-Razëm-Bogë, Qafë Mali-Fierzë, Kuben Vasije, Tammare-Shkodër, Burrel-Klos-Peshkopi, Kukë-Has, Përrenjas-Kapshticë, ku qarkullimi vazhdon normalisht.
Në akset Korçë-Qafë Qarri, Korçë-Dardhë, në pjesën fundore të aksit Krujë-Sarisalltik rekomandohen goma dimërore dhe përdoruesit e mjeteve të pajisen me zinxhirë gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit për shkak të ngricave. Ndërkohë, vazhdon puna me mjete dëborë pastruese.
Në akset e Dajtit, Qafë Priskë- Qafë Mollë rekomandohet kalimi me zinxhirë, pasi ka prezencë të ngricave në disa vende.
ARRSH iu bën thirrje drejtuesve e mjeteve që të tregohen të kujdesshëm, të reduktojnë shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën rrugore, të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë.