Për të treguar se pëlqehet nga qytetarët, kandidatja për Prokurore të Përgjithshme Arta Marku i ka dorëzuar Këshillit të Lartë i Prokurorisë (KLP) sondazh të realizuar nga vetë ajo.
Lajmi është raportuar nga televizioni A2, i cili thotë se kandidatja për kryeprokurore ia ka dorëzuar KLP-ës sondazhin pak ditë më parë. Sondazhi thuhet se është realizuar në mënyrë vetjake “me anë të telefonatave” ku “nga 5896 pjesëmarrës, 3157 kanë shprehur preference për Arta Markun kryeprokurore”.
Sipas raportimit të A2 pyetjet janë bërë në kohën kur avokati Lulzim Alushaj ishte ende në garë, pasi ky i fundit është preferuar nga 1,258 të pyetur. Alushaj u skualifikua nga gara për kryeprokuror më 29 shtator. Olsion Çelaj, i renditur prej KLP-ës, në krye nga 3 kandidatët e mbetur është votuar në sondazhin e Arta Markut nga 917 persona, ndërsa kandidatja tjetër Fatjona Memçaj nga 564 persona.
Sondazhi është i pazakontë për sa i përket procedurës dhe kritereve përzgjedhëse të kryeprokurorit. Diskutimi mbi pëlqyeshmërinë prej qytetarëve është aspekt politik dhe jo juridik, i cili nuk bën pjesë në kushtet e kandidimit.
Sipas Kushtetutës, lista prej 3 kandidatësh të KLP-ës i dërgohet Kuvendit, i cili duhet të zgjedhë me 84 vota një prej tyre. Nëse Kuvendi nuk arrin të plotësojë votat për një prej kandidatëve, i rendituri i pari në listën e KLP-ës, pra Olsian Çela, emërohet automatikisht.
Përpjekja e Arta Markut për të ngritur idenë se pëlqehet nga qytetarët, kërkon të krijojë në opinionin publik perceptimin se asaj i takon të jetë Prokurore e Përgjithshme edhe pse në fakt, sikurse e ka renditur KLP, ajo është më pak e vlerësuar profesionalisht se Olsian Çela.
Kandidatja Marku edhe gjatë seancës dëgjimore përballë KLP-ës tregoi arsyetime politike dhe jo profesionale. Ajo tha se ishte zgjedhur nga faktori ndërkombëtar, ndërkohë që për rezultatet e dobëta të punës së saj si Prokurore e Përkohshme e Përgjithshme u justifikua për mungesë kopetencash ligjore.