Arta Marku duhet të hetohet

Arta Marku duhet të hetohet

Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme (PPP) Arta Marku ka pranuar dje se ekstradimi në Itali i Nazer Seitit, financierit të bandës së Habiljave, është bërë në shkelje të ligjit. Seiti ishte nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si pjesë e organizatës kriminale të vëllezërve Habilaj, për të cilën po hetohet edhe Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.

Seiti po hetohet edhe në Itali, ndaj autoritetet italiane kishin kërkuar ekstradimin e tij. Por ligji shqiptar ndalon çdo lloj ekstradimi, pavarësisht nga krimi, të çdo personi që është nën hetim për krime në Shqipëri (neni 491 i Kodit të Procedurës Penale).  Për këtë arsye, ekstradimi është bërë në shkelje të ligjit.

Ekstradimi i Seitit i jep një goditje të rëndë hetimit të Saimir Tahirit, pasi si financier i bandës, mendohej se ai ishte njeriu kyç që mund të dëshmonte për pagesat që Tahiri akuzohet se ka marrë nga kushërinjtë e tij trafikantë. Duke qenë se Tahiri po hetohet vetëm në Shqipëri, edhe sikur Seiti ta përfshijë Tahirin në rrëfimet e tij para prokurorëve italianë, ata nuk mund ta marrin të pandehur Tahirin për mungesë juridiksioni.

Kjo do të thotë se ekstradimi i Seitit është një kthesë e rëndësishme në favor të Tahirit, aq më tepër në kushtet kur tashmë nuk ka më asnjë person tjetër të arrestuar nën hetim për cështjen e tij—policia nuk ka kapur dy vëllezërit Florjan dhe Artan Habilaj dhe një sërë personash të tjerë të shpallur në kërkim, përfshi ish-drejtorin e policisë së Vlorës.

PPP e ka pranuar dje skandalin me ekstradimin e Seitit, por arseyja që ajo ka dhënë për shkeljen e ligjit është edhe më skandaloze: një Drejtoria e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë nën varësinë e saj nuk e dinte që një tjetër njesi nën varësinë e Markut, Prokuroria e Krimeve të Rënda, po hetonte Seitin, ndaj kishte autorizuar ekstradimin në emër të PPP-së.

Kjo përgjigje ngre dyshime serioze pasi hapja e hetimeve ndaj Saimir Tahirit dhe arrestimi i Seitit ka qenë lajmi, çështja dhe ngjarja më e rëndësishme e gjithë prokurorisë së vendit në muajt e fundit.

Arrestimi i Seitit me një ngarkesë prej gati katër tonë drogë u propagandua gjatë nga qeveria dhe hetimi i Seitit ka qënë një lajm tejet i komentuar dhe gjerësisht i njohur në publik, dhe gjasat që prokurortët që merren me çështje që lidhen me hetimin e tij (letërporositë më jashtë dhe marrjen e informacionit me jashtë) të mos dinë gjë që ai ishte në hetim janë pothuajse zero.

Justifikimi i Arta Markut është i pabesueshëm edhe për një fakt tjetër: para 4 ditësh Arta Marku zhvilloi një takim me Kreun e Prokurorisë së Krimeve të Rënda Besim Hajdarmata, të cilit, sipas vetë njoftimit të zyrës së Markut, ajo i ka dhënë mbështetje për zhvillimin e të gjitha hetimeve. Hetimi kryesor i Prokurorisë së Krimeve të Rënda është ai i Seitit dhe Tahirit dhe gjasat që gjatë këtij takimi Arta Marku nuk ka marrë asnjë dijeni për hetimin e Seitit janë pothuajse zeo.

Ngjarja ngjason edhe më shumë me një konspiracion, nga fakti se ekstradimi i Seitit është bërë me shpejtësi dhe në fshehtësi, pa njoftuar as avokatin e Seitit. Veprimet e prokurorisë, së Ministrisë së Drejtësiseë kanë qenë gati të rrufeshme.

Edhe më e dyshimtë bëhet ngjarja, pasi PPP-ja ka urdhëruar që kjo çështje të hetohet në bazë të disa përcaktimeve ligjore që janë shfuqizuar. Në njoftimin e saj PPP-ja, pohon:

“Në mbështetje të nenit 160 pika 5, në lidhje me Kreun V, të Ligjit Nr. 96/2016 “Për Satusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të fillojë hetimin disiplinor për rastin, për të nxjerrë përgjegjësitë disiplinore nëse ka, të prokurorëve që kanë trajtuar çështjet në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Prokurorinë Për Krime të Rënda”

Problemi është që Kreu V i Ligjit 96/2016 është shfuqizuar, në të gjitha pikat që përcaktojnë shkeljet disiplinore (nenet 101-104), nga Gjykata Kushtetuese me Vendimin Nr. 34, datë 10.04.2017. Kjo do të thotë që urdhëri i Markut nuk ka asnjë efekt praktik dhe hetimi që ajo ka urdhëruar është pa ansjë bazë ligjore dhe nuk mund të ketë vlerë ligjore.

Ky skandal ngre dyshime serioze mbi vetë PPP Arta Marku dhe rolin e saj. Zgjedhja e Arta Markut si PPP u bë në shkelje të Kushtetutës. E panjohur në publik, me përvojë minimale hetimi dhe pa asnjë përvojë drejtuese, Arta Marku ishte zgjedhje personale e Kryetarit të Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja, i cili ka qenë eprori i Markut në prokurorinë e Shkodrës. Ulsi Manja ishte personi që mbrojti në emër të PS-së imunitetin e Saimir Tahirit nga arrestimi gjatë shqyrtimit parlamentar të kërkesës së prokurorisë për heqjen e këtij imuniteti.

Opozita e quajti emërimin e Arta Markut emërim politik, me qëllim sabotimin e hetimeve të prokurorisë së Saimir Tahirit.

Tani që paralajmërimi i opozitës, edhe në rast se ka qenë akuzë e pabazë politike, duket i konfirmuar nga ky veprim skandaloz dhe i pajustifikaur, me pasoja të rëndësishme në favor të Tahirit, pozicioni i Arta Markut është i pambrojtshëm.

Me veprimin e djeshëm, Arta Marku ka humbur çdo besueshmëri se ajo mund të garantojë hetim të paanshëm të Saimir Tahirit. Kaq mjafton që ajo të japë dorëheqjen e menjëhershme, pasi qëndrimi i saj është goditje për besueshmërinë e prokurorisë në përgjithësi dhe jep shkas për ndezjen e debateve politike për prokurorinë që gjithashtu do të cënojë punën e prokurorisë.

Por, rrethanat e paligjshme të emërimit të Arta Markut, veprimet e saj të paligjshme pas emërimit, dhe skandali i ekstradimit janë arsye për të hapur hetim ndaj saj për pengesë të drejtësisë. Arta Marku ka patur motivin dhe ka patur mundësinë për të penguar hetimet për Saimir Tahirin. Vendimi i paligjshëm i marrë prej zyrës së saj për ekstradimin e Seitit, e ka ndihmuar Tahirin. Rasti për hetimin e saj ka po aq shumë merita për sa ai për Saimir Tahirin.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>