Arta Marku emërohet prokurore në Apelin e Tiranës

Nga Exit News
Arta Marku emërohet prokurore në Apelin e Tiranës

Arta Marku do të jetë përkohësisht prokurore në gjykatën e Apelit të Tiranës.

Vendimi për të u mor të mërkurën nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Kushtetuta përcakton se “pas përfundimit të mandatit dhe me kërkesë të tij, Prokurori i Përgjithshëm emërohet në detyrën e mëparshme ose gjyqtar në gjykatën e apelit”.

Deri më tani, zonja Marku ushtronte detyrën pranë Prokurorisë së Shkodrës.

Në dhjetor 2017, zonja Marku u zgjodh prokurore e përgjithshme e përkohshme me ndoshta jetëshkrimin profesional më të varfër që mund të ketë pasur ndonjëherë ndonjë homolog i saj në botë, pa ndonjë përvojë profesionale dhe pa aftësi organizative dhe drejtuese.

Deri në momentin e emërimit ajo kishte punuar gjithë kohës si prokurore në Prokurorinë e Shkodrës, ku kishte ushtruar më shumë funksione koordinuese dhe burokratike sesa hetimore dhe teknike. Sikurse pohoi vetë në seancën e pyetjeve në Kuvend, në gjithë karrierën e saj deri para emërimit ajo kishte ndjekur një numër çëshjesh që “numëroheshin me gishtat e dorës” dhe nuk kishte mbrojtur asnjëherë ndonjë çështje para gjykatës.

I vetmi element i dalluar në karrierën e saj si prokurore ka qenë një rast abuziv me kompetencat e saj, i nxjerrë në dritë nga Komisioni i Vetingut. Sikurse deklaroi anëtari i ONM-së Theo Jacobs, në seancën e vlerësimit të Markut, ajo kishte kërkuar arrest me burg për një të pandehur të arrestuar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, pasi e kishte mbajtur atë në arrest përtej afateve ligjore. Kjo kërkesë, sipas Jacobs, ka qenë e ekzagjeruar dhe në shpërpjestim me veprën për të cilën akuzohej personi.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>