Sado që ekziston një kompleks i përgjithshëm që kjo të thuhet publikisht, personalisht, si jurist i ri dhe qytetar i angazhuar, kam filluar të mendoj se reforma në drejtësi ka dështuar. Sa më parë të pranohet ky realitet i trishtë, aq më shpejt do të mund të dalim nga kjo situatë tepër e rrezikshme për shtetin e së drejtës. Megjithatë dështimi apo jo i reformës në drejtësi kërkon një analizë më të gjërë e të detajuar, e cila do të mund të realizohet në një moment të dytë.
Në këtë prizëm, një interes të veçantë paraqet monitorimi i proçesit të vetingut, që supozohej ta pastronte drejtësinë shqiptare, nga çdo gjë që dëmton misionin e saj të shenjtë. Bërjen e drejtësisë pra.
Ndoshta shembulli më i mirë për të ilustruar sa më sipër, është pikërisht Prokurorja e Përkohshme e Përgjithshme (në vijim PPP), Arta Marku. Duke filluar nga zgjedhja, ushtrimi i detyrës në këto tetë muaj e deri te konfirmimi i saj nga organe e veting-ut.
Le t’i marrim ngjarjet me rradhë duke filluar nga zgjedhja e saj në dhjetorin e vitit të kaluar.
Nuk ka nevojë të jesh jurist apo konstitucionalist, për të kuptuar se zgjedhja e Arta Markut në detyrën e Prokurores së Përkohshme të Përgjithshme, me një procedurë të veçantë, ekstra-ligjore, të shpikur në momentin e fundit dhe me votimin me vetëm me 69 vota nga mazhoranca e majtë, ishte tërësisht antikushtetuese dhe antiligjore.
Neni 148/a, pika 1 e Kushtetutës ka parashikuar se Prokurori i Përgjithshëm zgjedhet me tre të pestat e anëtarëve të Kuvendit (84 deputetë), ndërmjet tri kandidaturave të propozuara nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Ndërkohë në dispozitat kalimtare, neni 179, pika 13 e Kushtetutës parashikon se zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm bëhet me tre të pestat, me përjashtim të një periudhe kohe të kaluar që bëhej me dy të tretat.
Qartazi pra, zgjedhja e PPP-së Marku nga votat e 69 deputetëve binte ndesh në frymë dhe germë me Kushtetutën e Shqipërisë.
Qeverisë shqiptare nuk i kishin munguar edhe akte të tjera për të treguar tendencën e saj për një sistem drejtësie të anshëm dhe të kapur politikisht. Siç për shembull votimi në mënyrë të njëanshme, pa konsensusin e opozitës, të ligjeve shoqëruese të ndryshimeve kushtetuese. Por, padyshim zgjedhja e zonjës Marku në krye të organit të akuzës ishte ajo që i vuri vulën këtyre përpjekjeve.
Dukshëm mbi PPP-në Marku ekzistonin dyshimet e arsyeshme se ajo mund të ishte e politizuar dhe nën influencën e mazhorancës së majtë. E vërteta është se edhe lëvizjet mëvonshme të saj nuk ndihmuan në shuarjen e këtyre dyshimeve. Përkundrazi, një pjesë u vërtetuan dhe pjesa tjetër u përforcuan. Ndërkohë, njëri nga qëllimet themelore që kish’ pasur reforma në drejtësi, depolitizimi i sistemit ishte cënuar rëndë.
Përpara se të përmendim dhe analizojmë shkurtimisht disa prej momenteve kryesore të kryeprokurores Marku në detyrë, duhet thënë se në këta tetë muaj nuk kemi pasur asnjë rast hetimi, arrestimi apo dënimi të ndonjë “peshku të madh”, që të ketë filluar me iniciativën e PPP-së Marku apo institucionit që ajo drejton. Ky fakt më duket se tregon shumë për bilancin e kryeprokurores së përkohshme.
Ndër veprimet e para, dhe më domethënëse të kryeprokurores ishte pikërisht shkarkimi i prokurores Rovena Gashi, nga detyra e drejtueses së sektorit të dekriminalizmit pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Dihet se dekriminalizimi kishte prekur kryesisht deputetë nga rradhët e Partisë Socialiste dhe mazhorancës së majtë.
Për më tepër, që shkarkimet, transferimet dhe emërimet e reja me ndryshimet kushtetuese dhe ligjore nuk janë më kompetencë e Prokurores së Përgjithshme (aq më pak mund të jenë e një kryeprokurorje të përkohshme), por e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Prandaj, duke kryer transferime, shkarkime dhe emërime, të cilat kanë qenë jo të pakta gjatë mandatit të PPP-së Marku, ajo ka vepruar në shkelje të hapur të Kushtetutës dhe ligjit që rregullon organizimin dhe funksionimin e prokurorisë. Një tjetër shkarkim i bujshëm në majin e 2018, është edhe ai i drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj, i njohur ndryshe edhe si prokurori që hetoi dhe kërkoi arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Në janar 2018, kryeprokurorja Marku në shkelje të nenit 491 të Kodit të Procedurës Penale, lejoi ekstradimin në Itali të Nazer Seitit, edhe pse Prokuroria po e hetonte atë si të përfshirë në çështjen e Samir Tahirit i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge.
Ndërkohë në shkurt 2018, PPP-ja Marku do të nënshkruante një marrëveshje bashkëpunimi me ministrin e Brendshëm Xhafaj për krijimin e një zyre të posaçme me prokurorë për hetimin e rasteve të rënda, si edhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit. Praktikisht, kjo do të thoshte kalimin e institucionit të prokurorisë nën varësinë politike të Ministrisë së Brendshme dhe Qeverisë.
Për të ardhur tek proçesi i veting-ut për kryeprokuroren Marku, i fundit në rrallë dhe më kuptimploti për dështimin me sukses të reformës në drejtësi (e cila ndryshe mund të quhej edhe si përpjekja kryeministrore për kapjen e sistemit të drejtësisë). Bazuar në aneksin kushtetues, ligjin nr. 84/2016 dhe nr. 96/2016, proçesi i veting-ut apo i rivlerësimit përbëhet nga tre pjesë: verifikimi i pasurisë, aftësive profesionale dhe kontrolli i figurës.
Le të analizojmë shkurtimisht të tre këta elementë në rastin e PPP-së Marku, me ato të dhëna, të cilat janë bërë të njohura për publikun.
Sa i përket pasurisë, nga informacionet e publikuara nga Inspektorati i Lartë për Deklarimin e Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPI), rezulton se në vitin 2003 zonja Marku kishte 0 pasuri, ndërsa në vitin 2017, 54.5 milionë lekë (të vjetra). Ndërkohë që në 2015, bashkëshorti i kryeprokurores ka deklaruar se ishte pronar i një të katërtës së një apartmenti, pasuri e padeklaruar më parë dhe me burim të ardhurash të pajustifikuar.
Në lidhje me aftësitë profesionale, përveç sa u tha më lart për shkeljen e Kushtetutës dhe ligjit në transferimet, emërimet dhe shkarkimet, të cilat siç u konstatuan nga organet e veting-ut janë kryer pa asnjë procedure apo rregullore të paracaktuar — vlen për t’u sjellë në vëmendje një rast në vitin 2008, kur prokurorja Marku kishte harruar në burg një qytetar për dy muaj e 13 ditë.
Për këtë rast, ministri i Drejtësisë së kohës, z. Alibeaj e kishte paditur zonjën Marku. Përfaqësuesi i ONM-së, Theo Jacobs duke komentuar këtë rast tha se masa e caktuar nga prokuroja Marku i dukej e tepërt dhe se do të kishte qenë me shumë interes që të zhvillohej një debat profesional me kryeprokuroren për masat e paraburgimit.
Zoti Jacobs nuk ngurroi të shtonte se mungesa e kryeprokurores në seancën e veting-ut tregon mungesë lidershipi, autoriteti dhe llogaridhënieje. Po ashtu ndaj kryeprokurores Marku ka pasur edhe një denoncim tjetër dhe kallëzim për shpërdorim detyre.
Pastërtia e figurës mbështetet mbi raportin që harton DSIK, një agjenci nën varësinë hierarkike të ministrit të Brendshëm. Sa u tha më lart për lidhjet e PPP-së me ministrin e Brendshëm, dëshmon qartazi se një raport i tillë krijon pashmangshmërisht hije dyshimi për vërtetësinë dhe besueshmërinë e tij.
E megjithatë, pavarësisht të gjithë këtyre fakteve kokëfortë, në datën 4 korrik, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të kryeprokuroes Marku, çka ngre pikëpyetje të shumta në lidhje me veprimtarinë e organeve të vetting-ut dhe proçesit në vetvete. Kjo edhe duke pasur parasysh standartet e dyfishta të përdorura në rastet e deritanishme.
Pasi për të njëjtat dyshime/shkelje që dikush shkarkohet nga detyra, një tjetër konfirmohet në detyrë. Për hir të drejtësisë në Shqipëri, qofsha i gabuar, veçse bindja më përforcohet çdo ditë e më shumë për dështimin me sukses të reformës në drejtësi. Dhe nëse më duhet të kërkoj një fakt kuptimplotë dhe bindës për këtë, rasti i kryeprokurores Marku më vjen ndërmend i pari.