Këshilli i Lartë i Prokurorisë caktoi ish Prokuroren e Përgjithshme Arta Marku, në prokurorinë e Apelit Tiranë. Zonja Marku do të qëndrojë në këtë prokurori për tre muaj.
Kushtetuta përcakton se “pas përfundimit të mandatit dhe me kërkesë të tij, Prokurori i Përgjithshëm emërohet në detyrën e mëparshme ose gjyqtar në gjykatën e apelit”.
Deri më tani, zonja Marku ushtronte detyrën pranë Prokurorisë së Shkodrës.
Në dhjetor 2017, zonja Marku u zgjodh prokurore e përgjithshme e përkohshme me ndoshta jetëshkrimin profesional më të varfër që mund të ketë pasur ndonjëherë ndonjë homolog i saj në botë, pa ndonjë përvojë profesionale dhe pa aftësi organizative dhe drejtuese.
Deri në momentin e emërimit ajo kishte punuar gjithë kohës si prokurore në Prokurorinë e Shkodrës, ku kishte ushtruar më shumë funksione koordinuese dhe burokratike sesa hetimore dhe teknike. Sikurse pohoi vetë në seancën e pyetjeve në Kuvend, në gjithë karrierën e saj deri para emërimit ajo kishte ndjekur një numër çëshjesh që “numëroheshin me gishtat e dorës” dhe nuk kishte mbrojtur asnjëherë ndonjë çështje para gjykatës.
I vetmi element i dalluar në karrierën e saj si prokurore ka qenë një rast abuziv me kompetencat e saj, i nxjerrë në dritë nga Komisioni i Vetingut. Sikurse deklaroi anëtari i ONM-së Theo Jacobs, në seancën e vlerësimit të Markut, ajo kishte kërkuar arrest me burg për një të pandehur të arrestuar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, pasi e kishte mbajtur atë në arrest përtej afateve ligjore. Kjo kërkesë, sipas Jacobs, ka qenë e ekzagjeruar dhe në shpërpjestim me veprën për të cilën akuzohej personi.
Pavarësisht mangësive të theksuara, Marku u zgjodh në krye të sistemit të prokurorisë. Në mënyrë të pritshme, e gjithë historia e mëpasme gati dyvjeçare e drejtimit prej saj të sistemit të prokurorisë është karakterizuar nga një mungesë e aftësive organizative dhe njohjes së ligjit dhe nga shkelje serioze të kuadrit ligjor dhe standardeve të administrimit të mirë.