Arta Vorpsi i ka kërkuar sot 4 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese (GJK) njohjen e mandatit të saj dhe anëtarët nuk kanë dalë dot në një vendim për faktin se me votim dy kanë votuar pro dhe dy kundër.
Burime për BalkanWeb kanë bërë me dije se në një mbledhje të zhvilluar sot në GJK, Zonja Vorpsi i ka paraqitur një kërkesë anëtarëve Vitore Tusha, Besnik Muçi, Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji. Ajo u ka kërkuar atyre njohjen e mandatit të saj.
BalkanWeb raporton se anëtarët e GJK kanë debatuar dhe janë ndarë në mendimet etyre pro dhe kundër.
Kujtojmë se në vendin e pretenduar nga Arta Vorpsi, Presidenti Ilir Meta dekretoi zgjedhjen e Marsida Xhaferllari. Kjo e fundit thuhet se nuk ka marrë pjesë në mbledhje për konfliktit të mundshëm interesi.
Zonja Vorpsi anashkaloi ceremoninë e betimit përpara Presidentit për mbrojtjen e Kushtetutës duke u betuar me një akt noterial.
Mbetet e paqartë kompetenca ligjore e njohjes së mandatit të një anëtari me një kërkesë dhe votim të tillë, por vlen të theksohet se sot, përmes një rezolute Kuvendi i kërkoi të gjitha institucioneve mos-zbatimin e dekretit të Presidentit Ilir Meta për emërimin e Marsida Xhaferllarit anëtare të GJK.