Në vitet 1950-të, dy teoricienët e njohur të Shkollës së Frankfurtit, Theodor Adorno dhe Max Horkheimer, shpjegonin konceptin e tyre të industrisë së kulturës në shoqëritë kapitaliste, duke marrë shpesh si shembull botën e kinematografisë. Ata tërhiqnin vëmendjen se si në Shtetet e Bashkuara, pothuajse, gjithmonë personazhet e filmave ishin të pashëm, kishin veshje të bukura, familje, shtëpi dhe makina të mahnitshme. Kishin Pasuri dhe stil të lakmueshëm jetese.
Adorno dhe Horkheimer e shpjegonin këtë dukuri si fabrikim modelesh nga industria e kulturës. Për ta, kinematografia dhe televizioni ishin mjetet që mund të standardizonin gjërat që duheshin konsumuar. Konsumimi në masë i këtyre gjërave përbënte atë kulturën popullore.
Nga ana tjetër konsultimi i shpeshtë me këto mjete të industrisë së kulturës çonte deri në atë pikë sa prej tyre mund të merreshin deri edhe standardizime të modeleve të jetesës. Me të tillë mënyrë, sipas Adornos dhe Horkheimerit, televizioni dhe kinematografia e Shteteve të Bashkuara në ato vite prodhuan versionin viziv të asaj që mbeti si: Ëndrra amerikane!.
Nëse analizojmë me të tillë qasje se kush është Ëndrra shqiptare! mund të themi se ajo buron nga pavetëdija shoqërore e ekzistencës së një kapitalizmi kriminal dhe është krijuar nga standardizimi i modelit të të bërit pasuri sa më shpejt pavarësisht kostove.
Pavarësisht nëse bëhet në mënyrë të ligjshme apo të paligjshme, të gjithë e kanë ëndërr të bëhen me para dhe në mënyrën më të shpejtë të mundshme. Kjo ndodh sepse në shoqërinë shqiptare ai që ka më shumë para dhe e ekspozon atë, ka më shumë vlerë sociale.
Në Shqipëri nuk ka kinematografi të zhvilluar. Televizioni gjithashtu u zhvillua vonë dhe kryesisht prodhimtaria e tij është e huazuar. Sidoqoftë përtej këtyre dy mediumeve kultura popullore diktohet jashtë mase prej prodhimtarisë muzikore në internet, prodhimtari që duhet thënë se është tejet masive.
Nuk ka teoricien që mundet ta shpjegojë se si një popullatë 3-4 milionshe të mundet të gjenerojë një konsum shikueshmërie prej dhjetëra e qindra milionë shikime të videoklipeve në platformën YouTube.
Këngët dhe artistët që kanë më shumë shikueshmëri janë gjithmonë të rinj, kanë gjithmonë gjuhë të rëndë, kontekst të fortësh të dhunshëm dhe mënyrë jete prej të jashtëligjshmi. Promovimi kryesor i tyre është konsumi dhe trafikimi i drogës, kësaj pjese i thurret lavda dhe i bëhet jehonë, ndërsa – pothuajse – të gjitha videoklipet duhet të kenë makina të mahnitshme e të rralla, rroba të shtrenjta dhe aksesorë luksi.
Konsultimi deri në overdozë me miliona klikime i kësaj prodhimtarie 3-4 minutëshe standardizon konsumimin e një modeli të atillë të të riut që pasurohet shpejt, të riut që bën një jetë të shfrenuar, të riut që jeton kamjen dhe kamja që vjen nga droga.
Ky është arti i realizmit kriminal për një shoqëri që në pavetëdijen e saj ka kthyer në vlerë krimin. I riu që bën para shpejt, që e tregon në mënyrë materiale pasurinë dhe forcën është Ëndrra e çdo shqiptari.