Në shoqërinë shqiptare ekzistojnë disa grupe presioni, formale ose jo formale.
Pavarësisht apatisë që na karakterizon ende si shoqëri, këto grupe të pavarura kanë bashkëpunuar për kauza të ndryshme.
Suksesi më i madh i disa prej tyre vazhdon të mbetet çështja e Armëve Kimike – mijëra qytetarë të mbledhur spontanisht të gjithë për një qëllim- treguan se mund të ketë ende vend për një shoqëri civile të mirëfilltë e të organizuar në Shqipëri.
Në zgjedhjet e kaluara lokale një grup qytetarësh nën emrin “Ne Tirana” mbështetën një kandidat të pavarur për bashkinë Tiranë, duke bërë një fushatë qytetare e modeste. Fushata, megjithë mbulimin e kufizuar mediatik, ishte një sukses për votat që arriti të fitojë.
Organizata Politike ka zhvilluar për dy vjet protesta kundër Ligjit famëkeq të Arsimit të Lartë.
Nisma “Thurje” ka mundur të fitojë betejën ndaj taksimit të lartë të bizneseve.
“Protestuesi” – një grup i vogël qytetarësh – protestoi për 6 javë për aferën e CEZ-it.
Grupimi “Qytetarët për Parkun” protestuan për 77 ditë kundër betonizimit të parkut të liqenit dhe mbi 20 javë kundër ndërtimeve tek diga nën logon “O Park- 0 Vota”.
Nisma “Për Publiken” – aktivist të pavarur, Qytetarët për Parkun, Organizata Politike e grupimi Ne Shqipëria – reagoi për ndërtimin e Parkimit Nëntokësor te Parku Rinia, rritjen e çmimit të biletës për shërbimin urban dhe për ndërtimin e paligjshëm të Parkut Tematik te Liqeni Artificial.
Një koordinim i mirë në mediat sociale ka ndërgjegjësuar e shkaktuar reagime për politika apo problematika të ndryshme.
Si për shembull protesta “ Nuk jeni vetëm” kundër dhunimit të fëmijëve jetim, e cila nisi me një lajmërim në Facebook dhe mblodhi disa qindra qytetarë në Tiranë, Elbasan, Shkodër, Durrës e Kukës.
Në vazhdën e pesimizmit që mbizotëron e braktisjes sistematike të vendit, rebelimi, mbështetja te njeri-tjetri e kërkimi i alternativave demokratike ka mbetur e vetmja shpresë.
Por, çfarë kanë arritur këto grupe?
Detyruan Kryebashkiakun Veliaj të mos ndërtonte një kafe dhe një sërë ndërhyrjesh të tjera në Parkun e Liqenit.
Detyruan Kryeministrin Rama, Kryetarin e Bashkisë Veliaj të sqaronin vendimet e tyre për ndërtimet në park, për rritjen e taksave vendore, për rritjen e taksave për biznesin, etj.
Detyruan pushtetin qendror dhe vendor të inskenojnë dëgjesa për projektin e Sheshit Skënderbej, ashtu siç duhet të kishte ndodhur me projektin e Këndit të Lojrave tek Parku.
Për dy muaj hapën debat mbi dëgjesat publike, të drejtën për informimim, detyrimin e instuitucioneve për të ndjekur rregulla e procedura ligjore dhe përfshirjen e qytetarëve në vendimarrje.
Gjurmuam e shpërndamë fakte e informacione që u mbajtën larg veshëve të publikut. Ndërgjegjësuam me anë të postimeve të vazhdueshme kryesisht në mediat sociale ngjarje si Nënë Zylja, zonja që u kërcënua me portofol në gojë nga Kryebashkiaku i Lushnjes, zonja që iu sekuestrua karroca e kokoshkave – javën e kaluar, dëbimi me forcë i romëve nga shtëpitë e tyre, heqja e asistencës në mënyrë të padrejtë kategorisë së invalidëve. Të gjitha këto nuk do kishin patur jehonën e duhur.
Grupet janë kryesisht informale, por tek to mbizotëron qasja se të gjithë janë qytetarë të lirë, të barabartë dhe të gjithë duhet flasin për vendimet që i prekin drejtëpërdrejtë.
Natyrisht, kjo e bën organizimin të vështirë dhe në kontekstin e mosbesimit e paranojës që na shoqëron, shpesh herë komunikimi është akoma edhe më i vështirë.
Ndryshe nga organizatat si Mjaft, të cilat kishin një buxhet sa ajo e një Ministrie sot; që blinin protestues e kohë e reklama televizive – këto orgazimine kanë thjeshtë vullnetin për t’i thënë ndal moszbatimit të ligjit; ndal handrimeve të Tiranës; ndal ndërtimeve pa asnjë plan apo vizion zhvillimi; ndal “shtimit” të hapësirave të gjelbërta duke prerë e murosur pemë e duke mbjell fidanë; ndal mashtrimeve për tarraca ekologjike me bar artificial që nuk i reziston dot një shiu e jo më përmbytjeve; ndal politikave zhvatëse; ndal politikave përçarëse; ndaj përbuzjes ndaj qytetarit; ndal bërjes së shtetit vetëm në kurriz të të varfërve; ndal ndarjes së Shqiptarëve në socialist e demokrat.
E vetmja gjë mund të thuhet me siguri është që protesta e Armëve Kimike ndryshoi dinamikën e shoqërisë civile në Shqipëri. Tashmë, ajo nuk i përket më zyrave që përpilojnë raporte e ekspertizë në këmbim të fondeve e favoreve. Por, është një shoqëri civile, e cila përbëhet nga njerëz që gjatë javës punojnë e në fundjavë protestojnë.
Tashmë ka qytetarë të cilët nuk gënjehen më nga projektet fantazma. Ato kanë kuptuar se zhvillimi nuk vjen duke bërë gjëra, por nga mënyra që zgjidhet për të bërë gjërat.
Ky artikull i dedikohet të gjithë atyre që, pavarësisht se përballen çdo ditë me një propagandë të shfrenuar të makinerisë shtetërore në të gjitha nivelet, u ka mbetur ende shpresë e forcë për të luftuar.
Edhe pse këtë javë propaganda triumfoi me arrogancën e saj duke mbuluar betonin me bar sintetik, përdorur fëmijët si mburojë ndaj thyerjes së ligjit, dhunuar disa “dështak” në emër të “demokracisë” imponuese, gënjyer në mënyrë të paskrupulltë duke fshehur faktet, nuk mundi të ndalë një proces ndërgjegjësimi të qytetarëve mbi të drejtat e liritë e veta.