Artisti në fron

Nga A.V
Artisti në fron

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, hapi këto ditë një ekspozitë në Napoli – një nga të shumtat e kësaj serie, me vizatimet e tij tashmë të mirënjohura. Zakonisht ekspozita të tilla i hapin artistët, jo kryeministrat (këta të fundit vijnë që të presin shiritat); dhe Rama ka qenë artist para se të bëhej kryeministër dhe, shpresoj, do të mbetet i tillë edhe pasi të largohet nga ai kolltuk; pa çka se në rastin konkret unë besoj se është kryeministri që ekspozon, jo artisti.

Përndryshe, për artistët janë kohë të vështira; arti kërkon mbështetje financiare, dhe mbështetja për artistët në Shqipëri ose mungon krejt, me përjashtim të ilustratorëve dhe dekoratorëve të vilave a hoteleve të parallinjve të rinj; ose është toksike rrezikon të vijë me një kosto politike, sociale dhe kulturore të papërballueshme, siç ndodhi tani së fundi me Eljan Taninin. Kjo nuk është ndonjë gjë e re në historinë e artit, edhe pse meriton megjithatë vëmendje.

Ka qenë një mot, kur artistët synonin të bëheshin pjesë e oborrit të një monarku a të një fisniku, në mënyrë që të mund të krijonin lirisht; ose të paktën pa u shqetësuar se kush do t’ua paguante darkën. Mekanizmi ka prodhuar art të kalibrit të lartë – çfarë thotë diçka, besoj unë, edhe për shijet e mira të monarkëve dhe të fisnikëve të kohës; që dinin të zgjidhnin një Mozart a një Velasquez nga masa e të patalentuarve dhe arrivistëve.

Te Rama shohim, megjithatë, një version të ri, më të lartë të këtij mecenatizmi; sepse Rama, në vend që t’i bashkëngjitej oborrit të një të pushtetshmi dhe të nxirrte edhe ai nga peneli afreske kitsch me Skënderbeun muskular dhe mbretëreshën Teutë me kostum popullor, skulptura luftëtarësh ilirë ose fundja edhe motive abstrakte për xhamat e banjave të hanëmeve post-komuniste, zgjodhi të bëhej ai vetë padroni i artit të tij; duke marrë, si të thuash, kontroll mbi oborrin dhe duke u bërë monarku dhe meceni i vetvetes, nëpërmjet ngjitjes në krye të pushtetit politik.

Këtë e them jo në kuptimin se Rama po përdor gjë paratë e taksapaguesve për të mbështetur artin e vet; por në kuptimin se suksesi i tij si artist nuk mund të ndahet dhe nuk duhet të ndahet, nga suksesi i tij si politikan dhe si kryeministër i një shteti të vogël dhe të varfër.

E kam shkruar edhe më parë, që vlera artistike e vizatimeve të Ramës i ka rrënjët në politikë; ose në statusin prej kryeministri të artistit ekspozues. Dhe kjo, jo aq për shkak të një paramendimi ose të një marifeti – të tipit “le të bëhem kryeministër, që të më hapin dyert e galerive”; sa për shkak se vetë arti, që ekspozon Rama lart e poshtë në botë, është arti i një politikani të cilit i rri ngushtë kolltuku; ose një thirrje për ndihmë. Pa çka se thirrjet për ndihmë gjithnjë e kanë argëtuar publikun.

Ky artikull u botua fillimisht në revistën “Peisazhe të Fjalës”:

ARTISTI NË FRON

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>