Si tregues i qartë i atmsoferës që kryeprokurorja e Përkohshme Arta Marku ka vendosur në Prokurorinë e Përgjithshme me një sërë vendimesh në shkelje të ligjit, asnjë prokuror i Apelit nuk ka aplikuar për vendin e lirë në Këshillin e Lartë Prokurorial (KLP) pasi KPK shkarkoi të gjithë kandidatët e listët prioritare për këtë pozicion.
Fillimisht afati i fundit për aplikim ishte 10 tetori, por Kryeprokurorja Marku e zgjati atë dhe me 15 ditë të tjera.
Është e paqartë se nga cili ligj Marku e ka marrë autoritetin për ta bërë këtë, sepse siç e kemi shpjeguar më parë këtu, hapja e thirrjes për kandidatë të rinj, kur jo mjaftueshëm kandidatë janë kualifikuar për të formuar KLP-në e parë, nuk është detyrë e Zonjës Marku. Kuadri ligjor që rregullon zgjedhjen e KLP-së, ashtu si dhe të KLGJ-së, i miratuar në mënyrë të njëanshme nga shumica socialiste, është i mangët dhe nuk ka marrë parasysh një situatë të tillë.
Nëse asnjë kandidat i ri nuk aplikon për pozicionin vakant të KLP-së dhe nuk e kalon vetingun, KLP-ja nuk do të mund të formohet dhe të zgjedhë një Prokuror të Përgjithshëm legjitim.