Pavarësisht dëshirës së mirë të ambasadorit Lu, i cili në një intervistë për Blendi Fevziun, shprehu besimin se “Prokuroria Speciale (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) do të formohen këtë verë”, kjo gjë ka shumë pak gjasa të ndodhë në të vërtetë.
BKH është institucion nën varësinë e SPAK-ut. Ky i fundit do të përbëhet nga 10 prokurorë të emëruar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë me një mandat 9 vjeçar, siç parashikohet nën nenin 148/dh(1) të Kushtetutës.
Megjithëse anëtarët e KLP-së nga radhët e avokatëve, profesorëve dhe shoqërisë civile u zgjodhën në janar me short, pas tre raundesh votimi, 1o kandidatët nga radhët e prokurorëve duhet të kalojnë më parë procesin e vetingut.
Por ende nuk asnjë kandidat për anëtar të KLP-së nuk është planifikuar për t’u paraqitur para Komisionit të Pavarur të Kualifikimeve (KPK) për procesin e rivlerësimit të figurës.
Deri më sot, KPK ka zhvilluar vetëm tre seanca, dy për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo, i cili u shkarkuar, dhe Vitore Tusha, e cila u kualifikuar, dhe një tjetër që po zhvillohet sot për Besim Trezhnjevën, gjykatës në Gjykatën e Apelit në Durrës dhe kandidat për anëtar të KLGH-së.
Nëse KPK do të ruajë të njëjtin ritëm si deri më tani, me një seancë dëgjimore në javë, dhe duke supozuar se që tani e tutje do t’i jepet përparësi kandidatëve për KLP—që nuk ka shumë gjasa të ndodhë—edhe nëse KPK nuk merr pushime verore, të gjithë kandidatët për në KLP mund ta përfundonin procesin e vetingut në rastin më të mireë në mes të muajit gusht.
Nëse KPK i dyfishon përpjekjet e saj, duke bërë më shumë dëgjesa në javë, vetingu i kandidatëve të KLP-së do të përfundonte në qershor, duke supozuar sigurisht se nuk do të ketë ankesa—që ka pak gjasa të ndodhë.
Pas zgjedhjes së anëtarëve të KLP-së, do të duhen do të duhet të kalojnë vetingun së paku dhe 10 prokurorë të tjerë kandidatë për t’u emëruar në SPAK, të cilët pastaj duhet të punësojë anëtarë të aftë për BKH-në.
Një tjetër pasojë e kësaj gjendjeje është se, me shumë gjasa, Prokurorja e Përkohshme e Përgjithshme Arta Marku do të qëndrojë në atë post deri në fund të vitit 2018, në mos më gjatë, duke qenë se KLP-ja është gjithashtu përgjegjëse për zgjedhjen e një Prokurori të Përgjithshëm të ri dhe legjitim. Në rastin e PP-së, pas vetingut, kandidatët duhet të kalojnë nëpër një procedurë përzgjedhëse në Parlament, e cila sigurisht do të jetë e planifikuar në atë mënyrë që të zhvillohen tre raunde.
Prandaj është e qartë se edhe në skenarin ideal (dhe shumë të vështirë) të skicuar më lart, gjasat janë shumë të pakta që SPAK dhe BKH të jenë gati para verës, siç sugjeroi Ambasadori Lu. Dëshira e tij është aq jorealiste, sa dhe pretendimi i tij se Klement Balili do të arrestohet “në ditët e ardhshme”.