Atentati i dytë ndaj kreut të Këshillit Bashkiak Durrës, i përfshirë në përgjimet me Avdylajt

Atentati i dytë ndaj kreut të Këshillit Bashkiak Durrës, i përfshirë në përgjimet me Avdylajt

Kryetari i Partisë Demokratike Ferdinand Xhaferri deklaroi sot se kreut të Këshillit Bashkiak në Durrës Ani Dyrmishi i është bërë atentat me armë, por policia e ka fshehur ngjarjen.

Në një deklaratë për median, Zoti Xhaferri u shpreh:

“Ditën e hënë duke u gdhirë e martë, në qendër të Durrësit në lagjen nr 4, si pasojë e përplasjes të bandave të rilindjes goditet me armë Drejtori i Përgjithshëm i Hekurudhave dhe Kryetari i Këshillit Bashkiak Ani Dyrmishi.

Drejtori i policisë i qarkut Durrës, rilindasi Lorenc Shehu, i ardhur jo për të vendosur rendin në qytet, por për të negociuar sherret e bandave të PS-së, e ka fshehur ngjarjen.”

Një ditë më parë, disa median raportuan se në qytetin e Durrësit kishte ndodhur një përplasje me armë, gjatë së cilës ishte qëlluar me breshëri një makinë në pronësi të një 29 vjeçari me inicialet I.B.

Sipas Zotit Xhaferri, I.B është shoferi i Ani Dyrmishit dhe se makina përdorej nga ky i fundit.

Sipas policisë, në momentin e atentatit, makina ka qenë e parkuar, por sipas denoncimit të kreut të PD-së, policia e Durrësit po mban të fshehtë ngjarjen e vërtetë.

Ani Dyrmishi është aktualisht kryetari i Këshillit Bashkiak në Durrës.

Nga shkurti 2016 deri në korrik 2017, Dyrmishi ka qenë Drejtori i Hipotekës së Durrësit. Ai u shkarkua nga kryeministri Rama në korrik 2017 si pjesë e Listës së Zezë me 100 zyrtarë të denoncuar për abuzime nga qytetarët.

Vetëm pak muaj pas shkarkimit publik, Ani Dyrmishi u emërua drejtor i ri i hekurudhave shqiptare.

Në nëntor 2018, Dyrmishit iu vendos një sasi tritoli në makinën e tij, por nuk tritoli nuk arriti të shpërthente pasi Dyrmishi e pikasi dhe lajëmroi policinë.

Në një prononcim për DurrësLajm.al, Dyrmishi mohoi që të ketë qenë ai shënjestra e atentatit:

“Nuk mendoj që jam unë shënjestra, sepse s’kam konflikte me persona të tjerë. Unë në të gjithë Durrësin eci në këmbë. Mund të jetë dikush tjetër objektivi dhe shënjestra.”

Ani Dyrmishi është dhe një prej personave të përfshirë në përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane BILD në lidhje me zgjedhjet e vitit 2017, në qarkun e Durrësit, mes zyrtarëve të lartë socialistë dhe bandës Avdylaj.

Në përgjime, emri i Dyrmishit përmendet në një nga bisedat mes kreut të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dakos dhe Astrit Avdylaj, ku ky i fundit thotë se “po e pret Anin tek hipoteka që të mbarojë pak punë”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>