
Mediat raportuan dje për një atentat që iu bë kunatit të Lulëzim Berishës, Plaurent Dervishajt. I akuzuar për disa vrasje si anëtar i bandës së Durrësit, Dervishaj mund të ishte në burg, por njësoj si kunati i tij ai ishte i lirë.
Plaurent Dervishaj u plagos mesditën e së enjtes bashkë me Julian Meçajn. Ai u godit me një breshëri automatiku në dalje të autostradës Tiranë-Durrës, teksa po udhëtonte me makinë. Pak pas ngjarjes policia gjeti një makinë të djegur, të cilën e lidhi me atentatin, por nuk doli me një deklaratë të detajuar për shtyp.
Ky atentat rikthen vëmendjen te çështja më e diskutueshme e drejtësisë shqiptare: gjykimi, dënimi dhe lirimi i anëtarëve të bandës së Durrësit.
Banda, e cila kryesohej nga kunati i Dervishajt, Lulëzim Berisha, është akuzuar për vrasjet e Dritan Sallakut, Marsel Sotirës, Ilir Nelajt, Viron Currit dhe Arjan Pajës, që u kryen në vitet 1998-2000. Të gjithë anëtarët e kësaj bande u arrestuan në vitet 2005-2006, por Plaurent Dervishaj i shpëtoi autoriteteve.
Sidoqoftë në vitin 2012, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda e dënoi në mungesë me burgim të përjetshëm. Kjo gjykatë dha të njëjtin dënim edhe për anëtarë të tjerë përfshirë kreun e saj, Lulëzim Berishën. Vendimi bazohej kryesisht te dëshmitë e anëtarit të penduar Adriatik Coli.
Edhe pse u dënua me burgim të përjetshëm, Plaurent Dervishaj nuk bëri asnjë ditë burg. Ai mbeti në kërkim ndërkombëtar deri në korrik 2014, kur Gjykata e Lartë rrëzoi një pjesë të dëshmive të Adriatik Colit dhe vendosi ta çonte çështjen e tij për rigjykim.
Kjo gjykatë ndryshoi dënimet edhe për anëtarët e tjerë. Kështu Lulëzim Berishës dhe Indrit Taullait iu lehtësua dënimi nga burgim i përjetshëm në 25 vite burg.
Nga trupa gjykuese e Gjykatës së Lartë, dy nga 5 anëtarët e vitit 2014, ishin kundër këtij vendimi. Admir Thanza e Ardian Dvorani gjykuan se vendimi i Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda nuk duhej të ndryshohej as për Berishën, as për Taullain, dhe as për Plaurent Dervishajn. Sipas tyre, ata duheshin lënë përjetë në burg, ashtu si Endrit Dokle.

Deri më sot nuk ka asnjë të dhënë online në sistemin gjyqësor, që të tregojë se çështja ndaj Plaurent Dervishajt u çua për rishqyrtim në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda. Që prej korrikut të vitit 2014 ai është i lirë, njësoj si kunati i tij, i cili u lirua nga burgu në fund të vitit 2016.
Berishës iu dha liria me kusht nga Gjykata e Apelit Durrës edhe pse kishte edhe 6 vjet e 2 muaj e 22 ditë burgim për të shlyer.
Mënyra se si u trajtua kjo bandë dhe anëtarët e saj, tregon se drejtësia në Shqipëri mbetet vullnet i politikës. Nëse ka vullnet politik, gjykatat i dënojnë kriminelët dhe nëse nuk ka vullnet politik, gjykatat i lirojnë ata.