Banda e Durrësit, një atentat rikthen në vëmendje vendimet gjyqësore pro tyre

Nga Gerard Gega
Banda e Durrësit, një atentat rikthen në vëmendje vendimet gjyqësore pro tyre

Mediat raportuan dje për një atentat që iu bë kunatit të Lulëzim Berishës, Plaurent Dervishajt. I akuzuar për disa vrasje si anëtar i bandës së Durrësit, Dervishaj mund të ishte në burg, por njësoj si kunati i tij ai ishte i lirë.

Plaurent Dervishaj u plagos mesditën e së enjtes bashkë me Julian Meçajn. Ai u godit me një breshëri automatiku në dalje të autostradës Tiranë-Durrës, teksa po udhëtonte me makinë. Pak pas ngjarjes policia gjeti një makinë të djegur, të cilën e lidhi me atentatin, por nuk doli me një deklaratë të detajuar për shtyp.

Ky atentat rikthen vëmendjen te çështja më e diskutueshme e drejtësisë shqiptare: gjykimi, dënimi dhe lirimi i anëtarëve të bandës së Durrësit.

Banda, e cila kryesohej nga kunati i Dervishajt, Lulëzim Berisha, është akuzuar për vrasjet e Dritan Sallakut, Marsel Sotirës, Ilir Nelajt, Viron Currit dhe Arjan Pajës, që u kryen në vitet 1998-2000. Të gjithë anëtarët e kësaj bande u arrestuan në vitet 2005-2006, por Plaurent Dervishaj i shpëtoi autoriteteve.

Sidoqoftë në vitin 2012, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda e dënoi në mungesë me burgim të përjetshëm. Kjo gjykatë dha të njëjtin dënim edhe për anëtarë të tjerë përfshirë kreun e saj, Lulëzim Berishën. Vendimi bazohej kryesisht te dëshmitë e anëtarit të penduar Adriatik Coli.

Edhe pse u dënua me burgim të përjetshëm, Plaurent Dervishaj nuk bëri asnjë ditë burg. Ai mbeti në kërkim ndërkombëtar deri në korrik 2014, kur Gjykata e Lartë rrëzoi një pjesë të dëshmive të Adriatik Colit dhe vendosi ta çonte çështjen e tij për rigjykim.

Kjo gjykatë ndryshoi dënimet edhe për anëtarët e tjerë. Kështu Lulëzim Berishës dhe Indrit Taullait iu lehtësua dënimi nga burgim i përjetshëm në 25 vite burg.

Nga trupa gjykuese e Gjykatës së Lartë, dy nga 5 anëtarët e vitit 2014, ishin kundër këtij vendimi. Admir Thanza e Ardian Dvorani gjykuan se vendimi i Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda nuk duhej të ndryshohej as për Berishën, as për Taullain, dhe as për Plaurent Dervishajn. Sipas tyre, ata duheshin lënë përjetë në burg, ashtu si Endrit Dokle.

Opinioni i dy gjyqtarëve që ishin kundër vendimit për ta çuar për rishqyrtim çështjen e Plaurent Dervishajt

Deri më sot nuk ka asnjë të dhënë online në sistemin gjyqësor, që të tregojë se çështja ndaj Plaurent Dervishajt u çua për rishqyrtim në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda. Që prej korrikut të vitit 2014 ai është i lirë, njësoj si kunati i tij, i cili u lirua nga burgu në fund të vitit 2016.

Berishës iu dha liria me kusht nga Gjykata e Apelit Durrës edhe pse kishte edhe 6 vjet e 2 muaj e 22 ditë burgim për të shlyer.

Mënyra se si u trajtua kjo bandë dhe anëtarët e saj, tregon se drejtësia në Shqipëri mbetet vullnet i politikës. Nëse ka vullnet politik, gjykatat i dënojnë kriminelët dhe nëse nuk ka vullnet politik, gjykatat i lirojnë ata.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>