Gjykata e Krimeve të Rënda dha masën e sigurisë arrest me burg për Redjan Rrajën, të dyshuarin kryesor për atentatin ndaj prokurorit Arian Ndoja, javën e kaluar në Shkozet.
I pranishëm në sallë, Redjan Rraja i mohoi akuzat ndaj tij dhe tha se nuk i njeh personat e përfshirë në atentat. Ai tha se ditën kur ka ndodhur ngjarja ka qenë “duke përshkruar itinerarin që bën gjithmonë në Tiranë-Durrës-Fushë Krujë” dhe se ngjarjen e ka mësuar nga media.
Redjan Rraja u arrestua dje, pasi policia e identifikoi në bazë të shenjave të gishtave të gjetura në makinën e përdorur për kryerjen e sulmit.
Redjan Rraja sëbashku me Rexhep Rraja, djalin e deputetit socialist Rraja ishin ndër 4 personat e denocuar nga polici i Policisë Gjyqësore Emiljano Nuhu për marrje me forcë dhe dhunim ndaj Xhensila Malokut, në Fushë-Krujë, në 2018.
Po ashtu, Redjan Rraja është dënuar me 8 muaj burg për pengim të drejtësisë në zbulimin e autorëve të vrasjes së Elton Çiços në vitin 2016. Redjan Rraja ishte i ulur në tavolinë me Çiçon, kur ky i fundit u ekzekutua. Prokurori dyshoi atëherë se Rraja i kishte treguar vrasësve veprimet e Elton Çiços.