Austri, ish-kancelari konservator Sebastian Kurz fiton sërish zgjedhjet

Austri, ish-kancelari konservator Sebastian Kurz fiton sërish zgjedhjet

Në Austri, partia konservatore e ish-kancelarit Sebastian Kurz fitoi zgjedhjet e parakohshme të 29 shtatorit, duke i hapur rrugën kthimit të tij në krye të qeverisë.

Zgjedhjet  e parakohshme u zhvilluan pasi Kurz dha dorëheqjen në maj pas skandalit të përgjimeve Ibizagate ku dy zyrtarë të qeverisë së tij, por të partisë në koalicion me të, u filmuan në një aferë korruptive.

Pavarësisht skandalit, pjesëmarrja e votuesve në zgjedhje ishte e lartë: 75,5 për qind.

Siç ishte parashikuar dhe nga sondazhet, Partia Popullore Austriake e Kurzit (ÖVP) ka fituar 37 për qind të votave, ndërsa në vend të dytë, renditen social-demokratët (SPÖ) me 21,8 për qind.

Pavarësisht fitores, Kurz do t’i duhet të gjejë aleatë për koalicion për të formuar qeverinë.

Partia tjetër me të cilën Kurz ishte në koalicion deri nëmaj, Partia e ekstremit të djathtë Liria (FPO), humbi shumë vota pas skandalit të përgjimeve dhe në këto zgjedhje fitoi vetëm 16 për qind – 10 pikë për qindje më pak se në zgjedhjet e 2017-ës.

14 për qind të votave i mori Partia e Gjelbër, e cila në krahasim me vitin 2017 ku nuk mundi të kalojë as pragun elektoral, tani është ndër partitë kryesore me të cilat Kurz mund të formojë koalicion.

Kryetari i të gjelbërve deklaroi se partia e tij do të konsideronte qeverisjen me Kurz nëse do të kishte një “ndryshim rrënjësor” të politikave në krahasim me koalicionin e tij të mëparshëm me ekstremin e djathtë.

Vetë Kurz ka thënë se do të flasë me të gjitha palët. Dy opsionet e tij më të mundshme janë ose të bëjë sërish aleancë me FPO ose me të Gjelbrit dhe partinë Neos, e cila ka 7,8 për qind të votave.

Më pak i mundur është një koalicion me Social Demokratët.

Ndër çështjet kryesore të fushatës së Kurzit kanë qenë lufta ndaj emigracionit të paligjshëm dhe myslimanizmit.

Shqetësimin për emigracionin e paligjshëm, Kurz e ka shprehur dhe gjatë një takimi me kryeministrin Rama.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>