Austria mbështet hapjen e negociatave Shqipëri-BE

Austria mbështet hapjen e negociatave Shqipëri-BE

Ministri i Jashtëm austriak Alexander Schallenberg shprehu sot mbështetjen e Austrisë për hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së.

Gjatë një deklarate të përbashkët shtypi me ministrin e Jashtëm në detyrë Gent Cakaj, Zoti Scahllenberg deklaroi:

“Qëndrimi i Austrisë  është shumë i qartë, ne duam të hapet drita e gjelbër me Maqedoninë  e Veriut dhe me Shqipërinë.

Jemi përpara diskutimeve të vështira, sepse ju e dini se nuk ka unanimitet në Këshill [për hapjen e negociatave me Shqipërinë], por ajo që duhet thënë është se Austria do të mbështesë Shqipërinë.”

Ministri austriak tha se një prej vendeve që nuk duket e bindur për hapjen e negociatave me Shqipërinë është Franca, për shkak të problemit të vazhduar me numrin e lartë të azilkërkuesve shqiptarë:

“Situata e azilkërkuesve shqiptarë është një situatë që vazhdon, por e prek më pak Austrinë se shtetet anëtare. Me shumë ndershmëri mund të them se është një tipar i përsëritur në diskutimet me kolegët francezë.”

Ministri Schallenberg njoftoi dhe vendimin e qeverisë austriake për të ndihmuar shtetin shqiptar me një dhurim prej 200 mijë eurosh për të prekurit nga tërmeti i 21 shtatorit.

Dy ministrat biseduan gjithashtu për marrëdhëniet dy palëshe mes vendeve dhe premtuan të rrisin bashkëpunimin, veçanërisht në fushën ekonomike.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>