Qeveria austriake ka miratuar një sërë kufizimesh të reja për qytetarët, si mënyrë për të ndaluar përhapjen e Covid-19.
Nga e marta, 3 nëntor, qytetarët do të jenë të detyruar të qëndrojnë në shtëpi nga ora 20:00 e mbrëmjes deri në orën 06:00 të mëngjesit.
Baret dhe restorantet do të mbyllen për qytetetarët, ndërsa porositja e ushqimit në shtëpi do të mund të vazhdojë.
Të gjitha hotelet do të mbyllen.
Qeveria ka premtuar kompensim deri në 80 për qind të fitimeve që kompanitë kanë pasur nëntorin e kaluar, me kushtin që asnjë punonjës të mos shkarkohet nga puna.
Qeveria ka bërë thirrje që kushdo që mund të punojë nga shtëpia, të shmangë shkuarjen në vendet e punës.
Po ashtu do të ndalohen vizitat e personave jo pjestarë të familjes në shtëpi.
Duke theksuar se e ka të qartë që qytetarët janë të lodhur nga masat kufizuese, kancelari Kurz theksoi se marrja e disa masave është e nevojshme për të parandaluar rëndimin e situatës si kudo në Europë.
Pavarëisht kufizimeve, shkollat dhe një pjesë e dyqaneve joesenciale do të vazhdojnë të qëndrojnë hapur, duke punuar sipas protokolleve anti-Covid.
Masat e marra do të qëndrojnë në fuqi për 4 javë dhe më pas do të rishikohen.
Deri më tani Austria ka 106,000 raste me koronavirus, ku 1,097 pacientë kanë vdekur që prej fillimit të pandemisë.