Austria mban qëndrim të prerë në lidhje me kushtet që Shqipëria duhet të plotësojë me qëllim që BE të vendosë për hapjen e negociatave në mbledhjen e Këshillit Europian të qershorit 2018, përfshi rezultatet konkrete në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, krijimin e institucioneve funksionale të drejtësisë dhe reformën zgjedhore.
Qendrimi austriak ju bë i ditur Parlamentit Europian në kuadër të opinionit të BE-së për Raportin e Përparimit të Shqipërisë 2018, i cili u hartua nga Komisioni Europian nga maj 2018, dhe u miratua nga Parlamenti Europian më 29 nëntor 2018. Edhe pse Komisioni kishte rekomanduar në raport hapjen e negociatave me Shqipërinë, Këshilli Europian e refuzoi këtë rekomandim duke caktuar mbledhjen e qershorit 2019 si kohën kur do të rimarrë sërish në shqyrtim këtë vendim.
Pavarësisht vendimit të Këshillit të BE-së në lidhje me hapjen e negociatave, raporti ndoqi rrugën institucionale, për t’u miratuar në Parlamentin Europian, ku ai iu nënshtrua një sërë amandamenteve të propozuara nga eurodeputetët, para miratimit të djeshëm me 459 vota pro, 112 kundër dhe 65 abstenime.
Para miratimit të raportit nga PE, ai u diskutua në seancën plenare të PE më 28 nëntor 2018 me dy përfaqësues të Këshillit të Bashkimit Evropian, Komisionerin për Zgjerim Johannes Hahn dhe Karoline Edtstadler, Sekretarja e Shtetit në Ministrinë e Brendshme të Austrisë, vendit që ka presidencën e BE-së dhe kryeson Këshillin Europian.
Exit.al shkruan se Zonja Edstadler e përgëzoi Shqipërinë për përparimin në procesin e rivlerësimit të magjistratëve nën mbikëqyrjen e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, si dhe për bashkëpunimin me institucionet ligjvënëse të vendeve të BE-së, dhe marrëveshjen e firmosur me policinë.
Megjithatë, Sekretarja Edtstadler theksoi se për të marrë një përgjigje pozitive nga Këshilli i BE-së në qershor 2019 dhe për të përparuar në rrugën e saj të anëtarësimit në BE, Shqipëria duhet të plotësojë një sërë kushtesh dhe të bëjë përparim në një sërë drejtimesh. Ndër të tjera ajo u shpreh se Shqipëria duhet:
— Të krijojë sa më shpejt institiucionet e reja të drejtësisë, sikurse janë të përcaktuara në Kushtetutë;
— Të japë rezultate të prekshme në luftën kundër drogës, krimit të organizuar dhe korrupsionit. Shpërbërja e grupeve të organizuara kriminale mbetet ende problem për Shqipërinë;
— Të miratojë dhe zbatojë rekomandimet e OSBE/ODIHR në lidhje me ndryshimet e Kodit Zgjedhor;
— Të tregojë rezultate të prekshme në forcimin e shtetit të së drejtës përpara mbledhjes së Këshillit të Bashkimit Evropian;
— Të miratojë politika dhe programe të efektshme për uljen e numrit të azilkërkuesve shqiptarë në vendet e BE-së;
— Të forcojë ligjin për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe kundër diskriminit racor.
Ndërsa Komisioneri Hahn theksoi se Shqipëria duhet të përmirësojë sistemin për kontrollin e financimit të partive, dhe rritjen e profesionalizmit të institucioneve të pavarura zgjedhore. Komisioneri Hahn kritikoi edhe deklaratat e fundit të Kryeministrit Rama mbi çështjen Kosovë-Serbi. Ai u shpreh se “çdo kush në rajon duhet të distancohet nga deklaratat e padobishme dhe nxitëse të cilat mund të interpretohen si marrje anësie”.
Knut Fleckenstein theksoi se reforma në drejtësi ka shkuar përtej pritshmërive të Komisionit. Ai i bëri thirrje Shqipërisë të bëjë më të mirën përsa i përket vendimit të Këshillit për hapjen e negociatave verën e ardhshme.