Autokratët Rama dhe Vuçiç si dy pika uji

Nga Erblin Vukaj
Autokratët Rama dhe Vuçiç si dy pika uji

Shqipëria dhe Serbia vlerësohen nga Freedom House si “vende gjysmë të lira” dhe merita për këtë vlerësim është e pushteteve autoritare të Aleksandar Vuçiç dhe Edi Ramës.

Duke vëzhguar vendimet e tyre si qeveritarë Rama e Vuçiç duket se kanë pasur qasje të ngjashme me mbështetjen e oligarkëve, shndërrimin me shkelje ligji të qendrave të qyteteve, favorizimin dhe paracaktimin e kompanive fituese, dhunën policore, ndërtimet në parqe dhe sulmin e mediave.

Kur u bë Kryeministër në vitin 2014, Vuçiç iu shfaq serbëve i shndërruar: nga ultranacionalist i Partisë Radikale Serbe (PRS), pro-regjimit të Milosheviçit, në politikan pro-evropian, prijës i Partisë Progresiste Serbe (PPS), që premtoi të punonte për liberalizimin e ekonomisë.

Shtylla kryesore e premtimeve të Vuçiç ishin privatizimet dhe investimet e huaja, pasi sanksionet e luftës dhe bombardimet e NATO-s mbeteshin ende gjurmë rrugëve të Beogradit.

Por investimi më madhor i mbështetur prej Vuçiçit u bazua në shkelje ligji dhe parimesh demokratike.

Projekti Belgrade Waterfront, që parashikon dhjetëra kulla luksoze në pjesën ish-industriale buzë lumit Sava, iu dha pa garë, pa konsultime, në shkelje të ligjit dhe autonomisë vendore kompanisë arabe Eagle Hills, e cila me premtimin se do të investonte 3 miliardë dollarë përfitoi lejet dhe 68 për qind të pronës publike.

Zona ish-industriale zotërohej nga Bashkia e Beogradit, e cila drejtohet nga partia e Vučić, por Belgrade Waterfront nuk u kalua kurrë në këshill bashkiak. Të drejtat e pronës u rrëmbyen nga qeveria për t’iu dhënë miliarderit arab të përzgjedhur nga Vuçiç, qeveria e të cilit zotohej t’i lehtësonte procedurat dhe zhvillimin e projektit.

Qeveria shpërnguli me dhunë afro 200 familje që jetonin duke u prishur brenda natës shtëpitë. Mijëra protestues kundërshtuan mënyrën se si po vepronte qeveria e Vuçiç. Autoritetet u përgjigjën dhunshëm edhe ndaj tyre.

Projekti Belgrade Waterfront dhe një prej komplekseve të ndërtuara deri më tani.

Tjetër projekt i kundërshtuar ngjashëm me Belgrade Waterfront ishte Skyline Belgradeparashikon 3 kulla nga kompania izraelite AFI. Ndërtimet me kosto rreth 200 milionë euro po bëhen në zonën ku ndodheshin gërmadhat e ish-Ministrisë së Brendshme, goditur nga bombat e NATO-s në vitin 1999. Mungesa e transparencës se si u shit prona për 12 milionë euro ngriti dyshime.

Skyline Belgrade pritet të ketë çmime mbi 2,000 euro metri katror. Çmim vështirë i përballueshëm për një vend që pagën mesatare e ka 370-400 euro në muaj.

Në mënyrë të ngjashme me Vuçiçin ka vepruar edhe Rama në Tiranë.

Kur erdhi në pushtet në vitin 2013, Rama iu shfaq shqiptarëve si politikan i majtë, i cili do të taksonte progresivisht oligarkët dhe do të çlironte ekonominë nga koncesionet e vazhdueshme.

Por nuk ndodhi kështu. Koncesionet vazhduan edhe më shumë. Oligarkët u favorizuan në çdo investim dhe Kryeministri ua kategorizoi ato si investime strategjike. Në këtë pikë kullat qenë ndër prioritetet kryesore.

Njësoj si Vuçiç me Belgrade Waterfront, Rama zgjodhi dhe mbështeti, pa garë, pa diskutime publike, në shkelje të ligjit dhe autonomisë vendore projektin e Teatrit Kombëtar ku kompania Fusha shpk merr përsipër ndërtimin e teatrit duke përfituar tokë publike dhe leje për të ndërtuar 6 kulla pas tij.

Propozimet e pakërkuara për koncesione dhe kullat e shumta kanë qenë shqetësuese nga qeverisja e Ramës. Dhuna policore ka qenë e vazhdueshme ndaj kundërshtimeve të projekteve të rrugëve si në Shkozë, zgjatimin e “Bulevardit të Ri”, “Unazës së Re” apo edhe në protestat te teatri.

Kullat dhe projektet e pallateve kanë shqetësuar edhe Beogradin. Edhe atje nuk janë kursyer as parqet si ai i Kalemegdanit në të cilin ndodhet kalaja dhe siti arkeologjik i qytetit. Një projekt tjetër për teleferik 15 milionë euro është kundërshtuar vazhdimisht deri sa një gjykatë urdhëroi pezullimin e tij.

Sheshi i punimeve për teleferikun në Kalemegdan i sulmuar nga protestues.

Njësoj edhe në Tiranë. Ndërhyrjet në park, u kundërshtuan nga qytetarët me protesta deri në ngujim për 72 ditë.

Bashkia, e mbështetur nga qeveria, betonizoi një pjesë të parkut dhe ndërtoi aty, në shkelje të ligjit, park betoni. Ajo e miratoi projektin pa konsultime publike duke shkelur kështu Konvetën e Aarhusit dhe Ligjin për Informimin Publik. Projekti parashikonte edhe ndërtimin e disa lokaleve.

Protestat e qytetarëve përfunduan në përplasje me policinë dhe projekti u ndal vetëm te ndërtimi i parkut të lojërave dhe sistemimi i dy lokaleve buzë liqenit.

Dhuna policore ka qenë përgjigjia e qeverisë për çdo protestë qytetare që mbronte pronën publike apo dhe pronën private si në Shkozë, zgjatim të Bulevardit apo Unazë të Re.

Në Beograd sheshet janë ndërtuar me kosto disa herë më të lartë se kostoja e vërtetë. Sheshi i Republikës me 6,5 milionë euro po kthehet pedonale dhe ka shkaktuar bllokim të qarkullimit. Ndërkohë sheshi qendror Savski ka hapur debat për kostot dhe ndërtimin e një statuje 28 metra të lartë të princit të shekullit të XII Stefan Nemanja. Projektet e Vucic po krahasohet me projektin e Gruevskit, “Shkupi 2014“.

Projekti i sheshit Republika, Beograd.

Problematika të ngjashme ka patur edhe në Tiranë me sheshin Skënderbej, Bulevardin e Ri, ish-parkun 7-Xhuxhat dhe parkingjet nëntokësore. Qytetarët janë mbajtur të painformuar. Kostot janë shtuar vazhdimisht (26 milionë euro për vetëm 3 sheshe) ndërsa qarkullimi i makinave ka mbetur kaotik.

Sheshi te stadium kombëtar, apo dhe vetë stadiumi janë shoqëruar gjithashtu me dyshime për afera korruptive. Mënyra se si u tjetërsua prona publike dhe iu dha një kompanie private ishte aspak transparente. Ende sot nuk dihen se sa janë kostot totale të projektit ku thuhet se mund t’i ketë kaluar 70 milionë eurot.

Këto janë disa nga praktikat e ngjashme të Ramës e Vuçiç me publiken, por ata janë të ngjashëm edhe për mënyrën se si i trajtojnë mediat.

Më shumë se 100 raste sulmesh dhe presioni ndaj gazetarëve dhe mediave u regjistruan vitin e shkuar në Serbi. Shtatë gazetarë u sulmuan fizikisht, 23 u kërcënuan verbalisht ndërsa mbi 600 padi u regjistruan kundër mediave në gjykata. Reporterët pa Kufij e klasifikojnë Serbinë në vendin e 90 (nga 180) në botë për sa i përket lirisë së mediave. Ushtrimi i gazetarisë konsiderohet i pasigurt.

Që pas ardhjes në pushtet Vučić “ka vënë nën trysni mediat kritike dhe ka diskretituar gazetarët” kryesisht përmes presionit prej pushtetit, por edhe me bllokimin e financave. Këmbëngulja e gazetarëve detyroi qeverinë serbe të pranonte se zyrtarë të saj kishin qenë pas dhunës dhe shembjeve në sheshin e Belgrade Waterfront në 2016-ën, por rastet e ngjashme të fitoreve të gazetarëve kanë qenë të pakta.

Reporterët pa Kufij e klasifikojnë Shqipërinë në vend të 82 për lirinë e mediave. Sulmet e vazhdueshme nga qeveria dhe krimi i organizuar “arriti nivel të paprecedent në vitin 2018”. Kryeministri Rama i ka fyer gazetarët duke i cilësuar “kazanë” ndërsa ka propozuar edhe një ligj që “vë nën kontroll median dhe shkel parimet e standardet europiane”. Njësoj si Vučić, Rama po mbyt ngadalë gazetarinë e pavarur duke zgjeruar pushtetin autoritar të tij.

Mjaftojnë këto krahasime të zhvillimeve në Beograd e Tiranë, për të thënë se Rama e Vuçiç janë autokratë si dy pika uji.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>