Shqipëria e pas 30 qershorit i ngjan më shumë një diktature se një autokracie. Kontrolli i plotë i gjithë pushtetit vendor nga Partia Socialiste nën drejtimin e dyshes totalitare Rama-Veliaj është gozhda e fundit në arkëmortin e demokracisë hibride të 30 viteve pluralizëm problematik.
Si mbërritëm në këtë pikë nuk është aspak e befasishme. Rrugëtimi klasik i instalimit të diktaturës është përshkruar me kujdes nga binomi Rama-Veliaj në këto gjashtë vite të pushtetit të tyre.
Carl Schmitt thotë se fillimisht diktatura nënkuptonte pushtet personal. Ndërsa në epokën moderne ky kuptim u gërshetua me tri ide të tjera. Së pari, pushteti diktatorial në epokën moderne u mbështetet në konsensusin e popullit. Pavarësisht nga fakti nëse konsensusi merrej si i mirëqenë apo fitohej realisht, sundimi personal diktatorial pretendonte një bazë demokratike.
Së dyti, diktatori i epokës moderne përdorte një aparat qeverisës mjaft të centralizuar, karakteristik për pushtetin dhe qeverisjen e një shteti modern.
Së treti, mund të ekzistojë një dallim i madh ndërmjet sundimit të ligjit, në mënyrën si ai është konceptuar, dhe metodës së ushtrimit të tij. Në termat e filozofisë së të drejtës, ky është thelbi i diktaturës.
Është karakteristikë e të gjitha pushteteve personale, në kuptimin modern të termit, që demokracia braktiset me mjete demokratike. Kjo është edhe një prej tri rrugëve kryesore të kalimit nga demokracia në tirani, sipas politologut austriak von Kuehnelt-Leddihn. Një parti politike totalitare mund të fitojë aq shumë momentum dhe mbështetje me vota sa të bëhet, demokratikisht, zot i vendit.
Në Shqipëri braktisja e demokracisë, apo e autokracisë plurikromatike si një formë hibride ndërmjet autarkisë dhe demokracisë, u shënua me zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013.
Mazhoranca kushtetuese, që iu besua Rilindjes dhe koalicionit të majtë, i dha gjunjë një sjelljeje revanshiste përmes qeverisë së Edi Ramës. Shumëkush, atëherë, përfshirë edhe Metën, besonte se kjo ishte thjesht një eufori e lidhur me nevojën e Ramës për të dëshmuar triumfin mbi Berishën dhe partinë e tij. Kësisoj, Rilindja fitoi një tolerancë të panevojshme nga aleatja LSI, sigurisht, në shkëmbim të një syri qorr e një veshi shurdh ndaj babëzisë korruptive të kësaj të fundit.
Praktikisht, Edi Rama ndoqi një itinerar klasik në instalimin e sundimit të tij personal në Shqipërinë e 6 viteve të fundit. Së pari, ai fitoi një mbështetje të gjerë me premtimet e tij populiste. Kjo i dha atij të drejtë të mos ta kufizonte vështrimin te qeverisja, por të hidhej në fushën e paanë të zgjerimit të pushtetit personal.
Menjëherë pas betimit të qeverisë, Rama braktisi çdo funksion qeverisës, me përjashtim të policisë, e cila de jure ishte më shumë një funksion profesional dhe me pak hapësira ligjore për ndërhyrje politike.
Pa kaluar shumë kohë, fokusi befasues i qeverisë u bë drejtësia. Kjo ndodhi jo sepse drejtësia ishte më e korruptuar se shtyllat e tjera të shtetit, por sepse ajo rezervonte një potencial të pakufi që Rama të zgjeronte pushtetin autoritar, duke e shtënë në dorë (lexo: duke e centralizuar) funksionin e prodhimit të ligjit. Këtë etapë të instalimit të pushtetit personal Rama po e finalizon me sukses dhe pa ndeshur në rezistencë nga ana e opozitës apo shoqërisë civile.
Etapa e tretë e instalimit të autokracisë monokromatike të Ramës, ashtu siç jepet edhe në diagnozën e Schmitt-it, është thellimi i ndarjes mes asaj sesi konceptohet ligji dhe si zbatohet ai. Kjo përbën edhe thelbin e një diktature: mundësia e përgjithshme që normat e drejtësissë dhe zbatimi i ligjit të jenë të ndara.
Çdo diktaturë, që nuk kërkon arritjen e rezultateve të caktuara, shndërrohet në despotizëm arbitrar. Për të arritur një rezultat konkret është e nevojshme të ndërhyhet në marrëdhënien shkak-pasojë të gjërave. Për këtë qëllim përdoren mjete, që legjitimitetin e fitojnë nga shkalla e tyre e përshtatshmërisë me rrethanat. Pra, këto mjete justifikohen ekskluzivisht nga konteksti faktik.
Rrugët ekstraligjore që Kryeministri Rama zgjodhi për të zgjidhur probleme si mosshlyerja e faturave të energjisë elektrike ndaj korporatave shtetërore ishte një ide gjeniale për të themeluar një praktikë diktatoriale të administrimit. Sepse diktatura është një formë e qeverisjes e projektuar pikërisht për të zgjidhur një problem të veçantë. Ai problem është mbrojtja me sukses e një rasti, për të cilin kundërshtari mban një qëndrim diametralisht të kundërt. Pra, diktatura i çliron mjetet nga kufizimet e vetë ligjit.
Një aplikim tipik i kësaj strategjie diktatoriale nga dyshja totalitare Rama–Veliaj është shfaqur te projekti i zgjerimit të Unazës së Re në lagjen e njohur si Astiri. Propaganda qeveritare thuajse ia doli me sukses t’i paraqiste banorët që kundërshtonin projektin si përfitues të padrejtë të burimeve publike, zaptues të pronës private, pasanikë të babëzitur që synonin maksimumin e kompensimit nga financat publike etj.
Qëndrimi diametralisht i kundërt i opozitës e bënte prishjen e banesave rastin ideal për një hap diktatorial. Po të mos ishin përfshirë institucionet amerikane në skandalin e tenderimit të segmentit të kësaj rruge, opinioni publik do të ishte bërë dëshmitar i një instalimi spektakolar të një tradite diktatoriale.
Por, kushdo, që qëllimin e ligjit e kupton thjesht si një tjetër mjet, nuk është në gjendje të kuptojë konceptin e diktaturës, sepse ligji është një mjet, por qëllimi i tij është ruajtja e shoqërisë. Nëse ligji nuk ia del të ruajë shoqërinë, atëherë futet në skenë dhuna. Kjo është ‘forca shpëtuese e qeverisë’.
Shteti policor i Edi Ramës, në nivel qendror, dhe bashkia policore e Erion Veliajt, në nivelin lokal të qeverisjes, janë aplikime flagrante të këtij truku totalitar. Çdo institucioni ligjzbatues i merret pushteti përmes zëvendësimit me forcat shoqëruese të policisë.
Pagimi i taksave, faturave të energjisë, ndërprerja e lidhjeve të furnizimit me ujë dhe energji, zbatimi i vendimeve për shpronësimin dhe prishjen e banesave – të gjitha këto paraprihen nga dislokimi brutal dhe frikësues i një trupe forcash të specializuara në asgjësimin e individëve që rezistojnë (sipas ligjit, kriminelë me rrezikshmëri të lartë shoqërore).
Justifikimi për këtë sjellje diktatoriale është se, paçka se e injoron ligjin në fuqi, qeveria e bën këtë për të shpëtuar ligjin. Rama dhe Veliaj janë të vetëdijshëm se krijimi i një situate që është konform korrektesës normative nuk përbën ndonjë autoritet ligjor. Por, ata janë të sigurt se në opinionin publik kjo sjellje totalitare mund të tërheqë mbështetje nga segmentet korrekte të popullsisë.
Në raste të caktuara, si ai i Teatrit Kombëtar, ku përkrahja e publikut për projektin Rama-Veliaj është shumë e ulët, kjo dyshe totalitare iu drejtuan një metode me të sofistikuar për ta ndarë ligjin nga mënyra e zbatimit të tij. Ata tentuan të fuqizonin një autoriteti suprem, Kuvendin, ligjërisht të aftë për të ndalur zbatimin e ligjit dhe për të autorizuar një instalim të pjesshëm të diktaturës.
Ligji special që iu paraqit Kuvendit për këtë qëllim ishte një praktikë diktatoriale klasike, që synonte të shpërfaqte një unitet të rremë të ligjit dhe metodës së zbatimit të tij, si maskë për zbatimin brutal të sjelljes diktatoriale.
Për këtë arsye, askush nuk duhet të ndihet i kapur në befasi nga finalizimi i skenarit të shndërrimit të Shqipërisë në një shtet njëpartiak. Pas votimeve njëpartiake të 30 qershorit, skenari do të mbyllet me ngritjen e shpejtë të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë përmes mekanizmit të kontrolluar të vetingut.
Ashtu si në një diktaturë të Romës, edhe në diktaturën e Ramës është detyrë e diktatorit të shmangë situatën e rrezikshme, që ia bën të pamundur ushtrimin e pushtetit. Situata si këto janë dobësi tipike e sistemeve politike që ngrihen mbi kolegjialitetin dhe të drejtën e popullit për t’u pyetur.