Autoritetet irlandeze dëbojnë shqiptarët pa u lejuar kërkesat për azil

Nga Alice Elizabeth Taylor
Autoritetet irlandeze dëbojnë shqiptarët pa u lejuar kërkesat për azil

Autoritetet irlandeze po dëbojnë shqiptarë pa u dhënë atyre mundësinë për të kërkuar azil, kështu raportojnë mediat lokale.

Ministri irlandez i Drejtësisë, Charlie Flanagan ka pranuar masat e marra duke konfirmuar se kontrollet për migracionin kanë kaluar drejt e në avione dhe jo më në pikat e zakonshme në terminal.

Kjo do të thotë se shqiptarëve u ndalohet zbritja nga avioni nëse ata rezultojnë të kenë pasaporta false. Kështu ata nuk mund të kërkojnë azil, por do të duhet të kthehen direkt mbrapsht.

Mediat irlandeze raportojnë se kjo masë është marrë për të parandaluar fshehjen e pasaportave false në pikat e kontrollit në terminal dhe aplikimit për azil.

Shqipëria konsiderohet si vend i sigurtë orgjine dhe BE shpesh ka theksuar se nuk pranon kërkesa për azil nga Shqipëria, por sidoqoftë ajo mbetet një nga vendet me numrin më të lartë të azilkërkuesve në shtetet e BE-së.

Autoritetet irlandeze e kanë pranuar se po aplikojnë masa shtrënguese, edhe pse ato shkelin ligjet ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut.

Që prej aplikimit të masave të reja, në aeroportin e Dublinit, azilkërkuesit shqiptarë kanë rënë në mënyrë domethënëse.

Vlen të thuhet se ardhja nga një vend i konsideruar i sigurt, nuk përjashton të drejtën e kërkesës për azil. Vende të ndryshme aplikojnë procedura shqyrtimi për aplikimet që vijnë nga shtete të tilla. Në rastin e Irlandës kjo nuk po aplikohet më.

Në një raport të publikuar sot, Komisioni Evropian vlerësoi progresin e Shqipërisë në përmbajtjen dhe zvogëlimin e azilkërkuesve në BE dhe kthimit të rreth 7 mijë personave.

Mbetet e paqartë se sa është numri i shqiptarëve të kthyer nga Irlanda, pasi ky vend po aplikon masa të tilla.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>