Vijon goditja ndaj shoqërisë civile në Bjellorusi pasi autoritetet njoftuan të premten mbylljen e 15 organizatave joqeveritare.
Organizatat që janë urdhëruar të mbyllen përfshijnë qendrën për të drejtat e njeriut “Human Constanta”, organizatën bamirëse “Names”, grupin kundër AIDS “BelSetka”, organizatën për trajnimin e gazetarëve “Press-Club” si dhe një organizatë që i vjen në ndihmë personave me aftësi të kufizuara.
Goditja u paralajmërua një ditë më parë nga presidenti Aleksandër Lukashenko kur tha se do të vazhdojë “operacionin e pastrimit”, kundër aktivistëve të shoqërisë civile të cilët ai i ka denoncuar si “banditë dhe agjentë të huaj”.
“Human Constanta” tha në një deklaratë se autoritetet nuk kanë shpjeguar pse kanë vendosur ta mbyllin grupin.
Më shumë se 50 OJQ po presin të mbyllen në Bjellorusi, raporton AP. Ato përfshijnë Shoqatën Bjelloruse të Gazetarëve, organizata më e madhe dhe më e respektuar e medias në vend dhe Qendra Bjelloruse PEN, një shoqatë shkrimtarësh e udhëhequr nga Svetlana Alexievich, fituese e Çmimit Nobel 2015 në letërsi.
Deri më tani, 32 gazetarë bjellorusë janë në burg, duke kryer dënimin ose duke pritur gjyqin, sipas Asociacionit të Gazetarëve në Bjellorusi.
Pushteti i Lukashenkos ka nisur një valë represioni ndaj mediave të pavarura dhe zërave opozitare pas protestave në gusht të 2020 që nisën si pasojë e rezultatit të zgjedhjeve presidenciale të cilat opozita pretendon se janë manipuluar.
Perëndimi ka refuzuar ta njohë Lukashenkon si president dhe ka vënë një mori sanksionesh ndaj tij dhe Bjellorusisë.