Autoritetet shëndetësore në SHBA rekomandojnë një dozë shtesë vaksine kundër COVID-19

Nga Exit News
Autoritetet shëndetësore në SHBA rekomandojnë një dozë shtesë vaksine kundër COVID-19

Zyrtarët shëndetësorë amerikanë të mërkurën rekomanduan marrjen e një doze të tretë vaksine kundër COVID-19 për të rritur mbrojtjen. Rekomandimi vjen pas përhapjes shqetësuese të variantit Delta dhe dëshmive se efikasiteti i vaksinave po bie.

Plani, siç u përshkrua nga drejtori i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe autoritetet e tjera të larta, kërkon një dozë shtesë tetë muaj pasi njerëzit kanë marrë dozën e dytë të vaksinës Pfizer ose Moderna, raporton Associated Press.

Dozat e treta në SHBA mund të fillojnë të jepen që prej 20 shtatorit sipas CDC.

Zyrtarët shëndetësorë thanë se ata që janë vaksinuar me Johnson & Johnson, e cila konsiston vetëm në një dozë do të kenë gjithashtu nevojë për dozë shtesë. Megjithatë ata thanë se po presin më shumë të dhëna dhe ende nuk kanë përpunuar detajet.

Plani i CDC është duke pritur një vlerësim të Administratës së Ushqimit dhe Barnave për sigurinë dhe efektivitetin e një doze të tretë, thanë zyrtarët.

Në një deklaratë, zyrtarët shëndetësorë thanë se është “shumë e qartë” se mbrojtja e vaksinave kundër infeksionit zvogëlohet me kalimin e kohës, dhe tani, me variantin Delta që përhapet me shpejtësi, “ne po fillojmë të shohim dëshmi të mbrojtjes së zvogëluar kundër simptomave të buta dhe të moderuara të sëmundjes. ”

“Bazuar në vlerësimin tonë të fundit, mbrojtja aktuale kundër sëmundjes me simptoma të rënda, shtrimit në spital dhe vdekjes mund të zvogëlohet në muajt në vazhdim,” thanë ata.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>