Autoriteti gjerman rekomandon përzjerjen e vaksinës së AstraZenecas me Pfizer ose Moderna

Nga Exit News
Autoriteti gjerman rekomandon përzjerjen e vaksinës së AstraZenecas me Pfizer ose Moderna

Komiteti i vaksinave të Gjermanisë ka rekomanduar që të gjithë ata që kanë marrë një dozë të vaksinës AstraZeneca, dozën e dytë ta marrin nga vaksina e Pfizer ose Moderna për një mbrojtje më të mirë kundër COVID-19.

Kombinimi i një doze AstraZeneca me një nga vaksinat me teknologji mARN (Pfizer ose Moderna) krijon më shumë mbrojtje krahasuar me vaksinimin me dy doza të AstraZeneca, thotë autoriteti gjerman i cituar nga The Guardian.

Ata kanë rekomanduar përzjerjen e vaksinave pavarësisht nga mosha dhe me një distancë kohore minimalisht 4 javë nga njëra dozë tek tjetra.

Vaksinat e zhvilluara nga Pfizer / BioNTech dhe Moderna bazohen në të njëjtën teknologji të re, e cila stërvit trupin për të riprodhuar një lloj proteine, të ngjashme me ate që gjendet në kurorën e koronavirusit. Kjo bën që kur trupi ekspozohet ndaj virusit, ai i njeh këto proteina dhe është në gjendje t’i luftojë ato duke mos lejuar që virusi të infektojë organizmin.

Vaksinat e AstraZeneca dhe Johnson & Johnson përdorin një version të prodhuar gjenetikisht të adenovirusit që shkakton ftohjen e zakonshme për të transferuar udhëzimet gjenetike në qelizat njerëzore që të luftojnë koronavirusin nëse ai hyn në organizëm.

Kancelarja gjermane Angela Merkel i ka përzier vaksinat. Pas dozës së parë të AstraZeneca ajo u vaksinua me Moderna.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>