Autoriteti i Konkurrencës vendosi të mbyllë pa gjobë hetimin ndaj kompanive kryesore të prodhimit dhe tregëtimit të miellit për rritjen e koordinuar të çmimit, çka solli rrjedhimisht rritjen e çmimit të bukës.
Sekretariati i Konkurrencës propozoi penalizimin me gjobë për 5 kompanitë AgroBlend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA, Atlas SHA dhe Atlas Mills SHPK, të cilat kontrollojnë rreth 70% të tregut të miellit në Shqipëri.
Propozimi ishte rezultat i një hetimi që zgjati më shumë se një vit pasi Autoriteti i Konkurrencës konstatoi se kompanitë koordinoheshin për vendosjen e çmimit të miellit.
Shtrenjtimi i çmimi të miellit ka sjellë në shtator rritje të çmimit të bukës me 10 lekë pothuajse në të gjithë vendin.
Kompanive iu kërkua të raportonin pranë konkurrencës çdo tre muaj të dhënat mbi blerjet dhe shitjet. Pas monitorimit nga Sekretariatit të Komisionit të Konkurrencës është vënë re që detyrat e lëna nuk janë zbatuar dhe u propozua gjoba.
Megjithatë, 3 anëtarë të Bordit drejtues të Autoritetit të Konkurrencës, Leida Matja, Adriana Berberi dhe Denar Biba votuan kundër penalizimit me gjobë ndërsa 2 anëtarë, kryetarja Juliana Latifi dhe zëvendëskryetari Eduard Ypi votuan pro.
Bazuar në ligjin për mbrojtjen e konkurrencës gjoba për kompanitë që shtrembërojnë tregun shkon deri në 10% të xhiros vjetore të vitit paraardhës të kompanive.
Vendimi i arsyetuar nga Autoriteti i Konkurrencës për këtë çështje pritet të bëhet publik brenda 15 ditësh.